Lajme
Pse u rrit perceptimi i qytetarëve për korrupsion në Qeveri dhe administratë qendrore?
Demokracia
17:23 | 25 Korrik 2023

Share:

“Pulsi Publik” i Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) ka publikuar raportin e anketës së opinionit në prill të vitit 2023 edhe në lidhje me korrupsionin.

Ndër të tjera në raport vërehet se perceptimi publik në lidhje me korrupsionin, ka shënuar rritje prej 1.4%, krahasuar me anketimin e nëntorit të vitit 2022, dhe prillit të 2022-s.

“Mesatarisht, 23.5% e anketuarve pohuan se e perceptojnë që korrupsioni në shkallë të gjerë është i pranishëm në institucionet publike dhe ndërkombëtare në Kosovë, krahasuar me 21.1% në nëntor 2022 dhe 22.1% në prill 2022. Teksa ky numër ishte në rënie të vazhdueshme që nga dhjetori 2020, kur mesatarisht 28% e të anketuarve pohuan se e perceptonin që korrupsioni në shkallë të gjerë është i pranishëm, në prill 2023 u shënua një rritje për 2.4 përqind krahasuar me nëntorin 2022.”

Por, ajo që lë përshtypje është se është rritur ndjeshëm perceptimi qytetar se Qeveria/Administrata Qendrore është e korruptuar.

Në nëntorin e vitit 2022 kishin besuar vetëm 20.10% në korrupsionin në Qeveri e Administratë Qendrore. Tash besojnë 25.3 për qind ose 5.2 për qind më shumë se më herët.

Kjo e dhënë bëhet edhe më shqetësuese nëse marrim parasysh që në prillin 2022 shifra kishte qenë vetëm 13.9 për qind.

Skandalet

Skandali financiar ku dyshohet të jetë përfshirë Martin Berishaj, “Jaranat e Liburnit” e nepotizmi, janë disa nga skandalet në të cilat u përfshi Qeveria Kurti, deri para prillit të këtij viti, kur është edhe koha e gjetjeve të raportit.

Skandali i ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj shkakëtoi shumë reagime në vend.

E gjithë vëmendja ishte kthyer pas një raportimit të medies sllovene “Prava”, ku përveç Berishajt, përmendej edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

E në drejtim të këtij të fundit, është dërguar vazhdimisht kërkesë publike: shkarkimi i ambasadorit Berishaj.

Politikanë të ndryshëm, të gjithë nga opozita, analistë e madje edhe përkrahës të Kurtit tashmë kanë kërkuar dorëheqjen e Berishajt ose shkarkimin e tij nga shefi i ekzekutivit.

Por deri më tani nuk ka asnjë lëvizje në drejtim të dorëheqjes ose shkarkimit të Berishajt. Pra Kurti, por edhe anëtarë të tjerë të pushtetit, kanë qëndruar indiferentë ndaj krejt kërkesës për largimin e ambasadorit Berishaj.

Partitë politike opozitare që nga “shpërthimi” i këtij skandali kërkuan dorëheqjen e Martin Berishajt nga posti i ambasadorit fuqiplotë të Kosovës në Kroaci.

Përveç partive politike, edhe analistët kanë kërkuar dorëheqjen e Martin Berishajt. Imer Mushkolaj, analist i njohur, dje shkroi se Qeveria Kurti është bërë horë duke mos e shkarkuar ambasadorin Berishaj.

Shkarkojeni more Martin Berishajn se u bëtë horë. S’kini zgjidhje tjetër, herët a vonë. Veç sa po fundoseni – bashkë me të.” – shkroi z. Mushkolaj.

Madje të zëshëm ndaj këtij skandali ishin edhe disa nga analistët, të cilët janë të afërt me pushtetin.

“Është e pakuptueshme pse një Qeveri harxhon kaq shumë energji për ta mbrojtur një ambasador që nuk ka asnjë peshë politike. Veçanërisht në rrethana kur njerëzit preokupohen me të drejtë se sa do të jetë vlera e koeficientit të pagës, nëse do ta kalojnë këtë dimër më lehtë sesa ai i kaluari. Kur do të normalizohet shporta e produkteve bazike… etj, etj.

Por nga ta dish, ndoshta pesha e xhepit e bën të vetën! Dhe për këtë arsye Martin Berishaj mbetet më i rëndësishëm!” – pati shkruar Xhevdet Pozhari.

Ndërsa Shkëlzen Gashi, analist që dikur ishte edhe këshilltar i Kurtit në Qeverinë Kurti I, e quajti Berishajn “hajduk”.

Liburn Aliu

Ndër ministritë më të përfolura për korrupsion ishte ajo e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës

Nacionale pati raportuar në lidhje me një aferë të titulluar “Jaranat e Liburnit”, ku u shpërfaq dyshimi se këshilltari i Aliut, Florent Ramçaj u përfshi në një aferë ku kërkohej ryshfet. Madje për këtë Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) kishte filluar hetimet ndaj Florent Ramqaj, këshilltarit të Ministrit Liburn Aliu.

Kush ia pa hairin Qeverisë Kurti për shkak të lidhjeve familjare me pushtetarët e rinj.

Ka plot emra të familjarëve e farefisit të anëtarëve të Qeverisë Kurti të cilët janë punësuar e rahatuar në pozita të rëndësishme të organeve të shtetit. Kym base ka qenë një tjetër indikator, që perceptimi publik në lidhje me korrupsionin në Qeveri, të rritet.

Akullin e premtimit të Kurtit e theu kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, të cilit iu punësua xhaxhai e tij, Rabiti, si këshilltar në ministrinë e Mbrojtjes.

Edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Uka, u angazhua në këtë drejtim. Atij iu punësua vëllai si këshilltar i ministrit të atëhershëm të Shëndetësisë që kishte emrin Arben dhe mbiemrin Vitia. Vëllai i tij quhet Sami.

Një ndër punësimet familjare që bëri bujë të madhe, ishte rasti i nipit të zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimit.

Nipi i tij, Gëzim Tosuni, u emërua këshilltar në Këshillin Shtetëror të Cilësisë. Ajo që habiti në këtë drejtim, përveç punësimit, ishte edhe arsyetimi i Besnik Bislimit që kishte thënë që “ndoshta s’e kishte parë nipin qe 50 vjet”.

Derisa fjalimet e tij mbi gjithësinë e raketat hapësinore në Kuvend komentoheshin pa pushim, Jahja Kokajt do t’i avancohej mbesa e tij, që mbante emrin Fadile dhe mbiemrin Dyla.

Deputet Jahjaja i pyetur për këtë avancim, kishte thënë se të vëllain (për vajzën e të cilit po bëhet fjalë) nuk e kishte parë prej fillimit të pandemisë.

Edhe ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, nuk i rezistoi tundimit të kolegëve të tij. Aliu ia doli lehtësisht që të punësojë motrën e tij, Suljota Aliun në Këshillin Drejtues të Odës së Farmacistëve të Kosovës, institucion që është në kuadër të Ministrisisë së Shëndetësisë.

Edhe Lista Guxo që është bashkëpartnere në Qeverinë Kurti, iu bashkua punësimeve familjare. Haxhi Avdylit iu punësua djali i axhës, Emrushi, në Ministrinë e Shëndetësisë.

Me tej, Blerim Vela që është këshilltari i presidentes Vjosa Osmani, e rahatoi vëllain e tij, Driton Vela, në Bordin Qendror për Shkollim Specialistik.

Më 21 mars 2022, ia pa hairin edhe anëtari i VV-së dega në Pejë, Fazli Shala. Ai u zgjodh drejtor i Spitalit të Përgjithshëm në Pejë. Njëjtë u raportua edhe për drejtorin e Spitalit të Gjilanit.

Edhe në përzgjedhjen e Bordeve të Ndërmarrjeve Publike, qeveria Kurti kishte punësuar persona me librezë të partisë së tij.

Mbetet të shihet nëse në raportet e ardhshme do të ndikojnë edhe skandalet e tjera, që kanë ndodhur pas prillit, kur është publikuar ky raport, si ai i Shefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, e ish nënkryetarit të Komunës së Mitrovicës së Jugut Faruk Mujka.

Të ngjashme