OpEd
Pse shërbimet e kujdesit shëndetësor janë në kaos kudo nëpër botë
Demokracia
08:05 | 23 Janar 2023

Share:

Vendosja e izolimeve gjatë pandemisë Covid-19 kishte një qëllim kryesor: parandalimin e mbingarkesës së spitaleve. Qeveritë shpresonin të largonin infeksionet, duke marrë kohë për të ndërtuar kapacitete. Në fund, megjithatë, shumë nga ky kapacitet shtesë mbeti i papërdorur. Shtatë spitalet “Nightingale” të Anglisë u mbyllën pasi kishin pritur vetëm disa pacientë, siç bënë shumë nga spitalet e Amerikës.

Një studim gjeti vetëm një shembull ku kishte më shumë pacientë me Covid sesa shtretër, në Lombardi të Italisë, në prill të 2020.

Edhe pse tani ka lajme të spitaleve kineze të mbingarkuar, ndërsa vendi po përballet me një valë të madhe, është shumë herët për të ditur nëse këta janë shembuj të izoluar apo përfaqësojnë një dështim më të gjerë e sistematik të kujdesit shëndetësor.

Jashtë Kinës, Covid është më pak në mendjet e njerëzve këto ditë. Megjithatë, sistemet e kujdesit shëndetësor në pjesën më të madhe të botës së pasur janë më pranë kolapsit se në çdo moment që kur sëmundja filloi të përhapet.

Ndryshe nga papunësia ose PBB-ja, ka pak shifra të krahasueshme dhe të përditësuara për performancën e kujdesit shëndetësor në të gjithë vendet.

The Economist ka gjurmuar statistikat e vendeve, rajoneve dhe spitaleve për të paraqitur një pamje të asaj çfarë po ndodh.

Rezultatet tregojnë se pacientët, mjekët dhe infermierët po përjetojnë tani pasojat brutale të pandemisë.

Fillojmë me Britaninë. Shërbimi Shëndetësor Kombëtar (NHS), është në kolaps.

Pak para pandemisë, një person që kishte probleme dhe kërkonte ndihmë mjekësore, prisnin mesatarisht 20 minuta për një ambulancë.

Tani ato presin më shumë se një orë e gjysmë. Numri i “pritjeve” të gjata, koha midis një vendimi për të pranuar një pacient dhe mbërritjes në një repart spitalor, është rritur.

Vendet e tjera kanë statistika më pak gjithëpërfshirëse, por popullsi po aq të mjerueshme. Në shtator, Ipsos publikoi një sondazh global që përfshinte një pyetje mbi cilësinë e kujdesit shëndetësor lokal. Pothuajse në të gjitha 20 vendet e pasura të anketuara, në krahasim me vitin 2021, njerëzit thanë se shërbimi që u ofrohej ishte jo i mirë.

Spitalet italiane të mbingarkuar nga pacientët me Covid në fillim të vitit 2020 po luftojnë sërish.

The Economist analizoi të dhënat nga spitali Papa John XXIII në Bergamo, vendi i disa prej imazheve tronditëse të njerëzve në ventilatorë gati tre vjet më parë. Në vitin kur Covid goditi Italinë, listat e pritjes së spitalit u rritën pak. Më pas ato ranë vitin e ardhshëm. Por në vitin 2022 lista e pritjeve është në kolaps.

Një pacient që kërkon të bëjë një ekografi gjiri jo urgjente mund t’i duhet të presë deri në dy vite.

Gazetat në të gjithë Anglinë janë të mbushura me histori horror pikërisht për këtë shqetësim. Në Uellsin Jugor, Australi, një e katërta e pacientëve duhej të prisnin më shumë se gjysmë ore për t’u transferuar nga personeli i ndihmës mjekësore te stafi i urgjencës në tremujorin e tretë të 2022, nga një e dhjeta dy vjet më parë. Në Kanada, koha e pritjes ka arritur nivelin më të lartë të të gjitha kohërave, me një vonesë mesatare prej gjysmë viti ndërmjet referimit dhe trajtimit.

Edhe sistemet më të pasura dhe më kompetente po e ndiejnë kaosin. Në Zvicër ka më pak shtretër të kujdesit intensiv sesa në pandemi. Gjermania po sheh probleme të ngjashme, me një rritje të pacientëve që reduktojnë kapacitetin e kujdesit intensiv. Në Singapor pacientët presin rreth nëntë orë për t’u vizituar në një poliklinikë.

Amerika po ecën më mirë se shumica e vendeve, falë shumës së madhe të parave që shpenzon për kujdesin shëndetësor dhe kapacitetit të tepërt që financon. Por përsëri ka probleme. Shkalla mesatare e zënies së spitaleve ka kaluar së fundmi 80% për herë të parë. Edhe në ditët më të errëta të pandemisë, pak shtete raportuan repartet pediatrike nën panik (që ne e përcaktojmë si 90% ose më shumë shtretër të zënë). Në fillim të nëntorit, plotësisht 17 shtete ishin në këtë pozicion, rezultat i një rritje të të gjitha llojeve të problemeve te fëmijët.

Rënia e cilësisë së kujdesit shëndetësor po kontribuon në një rritje të “vdekjeve të tepërta”, ato mbi atë që do të pritej në një vit normal. Në shumë vende të botës së pasur, viti 2022 doli më vdekjeprurës edhe se viti 2021, një vit i disa valëve të mëdha të Covid-it. Vdekjet mujore në të gjithë Europën janë aktualisht rreth 10% më të larta se sa pritej. Gjermania është në mes të një vale të madhe vdekshmërie: vdekjet javore kanë qenë më shumë se 10% mbi normale që nga shtatori. Në fillim të dhjetorit ato ishin 23% më të larta.

Çfarë po ndodh?
Politikanët, në nivel ndërkombëtar dhe rajonal, po e marrin fajin, dhe herë pas here e meritojnë atë. Por forcat që krijojnë kaosin janë të zakonshme në të gjithë vendet dhe janë të lidhura me një përvojë të përbashkët të pandemisë.

Pothuajse në çdo vend të pasur punojnë më shumë njerëz se kurrë më parë në kujdesin shëndetësor. Punësimi total në spitale në vitin 2021 ishte 9% më i lartë se në vitin para pandemisë në gjashtë vendet që The Economist anketoi. Të dhënat e fundit tregojnë se në Kanada 1.6 milionë njerëz tani punojnë në kujdesin shëndetësor, më shumë se kurrë.

Në BE më shumë se 12 milionë njerëz punojnë në “aktivitete për shëndetin e njeriut”, një rekord. Spitalet amerikane punësojnë 5.3 milionë njerëz, një tjetër rekord.

Ndoshta problemi i vërtetë nuk është numri i stafit, por sa me efikasitet po punojnë.

E thënë thjeshtë, spitalet po bëjnë më pak, me më shumë personel.

Megjithëse rënia e produktivitetit është një fenomen në të gjithë botën, kujdesi shëndetësor aktualisht vuan nga presione shtesë. Një punim i fundit nga Diane Coyle nga Universiteti i Kembrixhit dhe kolegët, duke parë Britaninë, merr në konsideratë efektet e përballjes me Covid.

Protokollet për të zëvendësuar veshjet mbrojtëse dhe kërkesat e pastrimit dhe larjes pas trajtimit të pacientëve me Covid, të cilat të dyja janë ende në fuqi në shumë vende sot, ngadalësojnë gjithçka. Ndarja e pacientëve me Covid nga ato jo me Covid ka kufizuar efikasitetin e mjekëve dhe infermierëve.

Ndërkohë, stafi ndihet i rraskapitur pas tre vitesh lodhje. Një raport në Mayo Clinic Proceedings ka zbuluar se rraskapitja e stafit mjekësor është rritur dhe nëse punonjësit e kujdesit shëndetësor janë të rraskapitur, ata mund të bëjnë më pak.

Shumë njerëz tani janë të dobët
Produktiviteti ka rënë, por nuk ka rënë në mënyrën që do të ishte e nevojshme për të shpjeguar kaosin. Kjo tregon se ka dhe një shkaktar tjetër që është rritja e kërkesave për tu vizituar.

Duke dalë nga izolimet, njerëzit duket se kërkojnë më shumë ndihmë se kurrë më parë. Një pjesë e kësaj ka të bëjë me imunitetin. Njerëzit kaluan dy vjet pa u ekspozuar ndaj viruseve. Që atëherë, patogjenët endemikë si virusi sincicial i frymëmarrjes (RSV) kanë gjetur mjedis për tu zhvilluar. Të gjithë njerëzit që njihni kanë grip.

Por, pandemia gjithashtu ndikoi në probleme të tjera, të cilat vetëm tani po diagnostikohen. Në 2020-2021 shumë njerëz vonuan të kërkonin trajtim nga frika se mos infektoheshin me Covid, ose sepse spitali i tyre lokal ishte mbyllur.

Në Itali diagnozat e kancerit ranë me rreth 40% në vitin 2020 krahasuar me 2018-19.

Në Angli, lista e pritjes është rritur me më shumë se 60% që nga shpallja e pandemisë. Shumë nga njerëzit në listë ka të ngjarë të jenë më të sëmurë dhe kështu të kërkojnë më shumë kujdes.

Një punim i fundit i botuar në Lancet Public Health, vlerëson se gjatë dy dekadave të ardhshme vdekjet nga kanceri kolorektal mund të jenë gati 10% më të larta në Australi sesa sugjeronin tendencat para pandemisë, pjesërisht për shkak të vonesave në trajtim.

Efektet e keqfunksionimit të sistemeve të kujdesit shëndetësor shkojnë përtej vdekjeve të panevojshme. Njerëzit tani po kërkojnë ndihmë më shumë dhe më shpejt, viruset janë shtuar dhe të gjithë kanë imunitet më të dobët.

Me një popullsi në plakje dhe Covid që tani është një kërcënim gjithnjë i pranishëm, kujdesi shëndetësor para pandemisë mund të duket sikur ishte në një epokë të artë.

Të ngjashme
OpEd • 27 Mars 2024