Lajme
Pse Serbia dhe Lista Serbe u “zbutën” për zgjedhjet në veri?
Demokracia
09:45 | 22 Prill 2023

Share:

Me afrimin e ditës së zgjedhjeve për kryetarët e katër komunave në veri të vendit, Serbia dhe Lista Serbe kanë zbutur qëndrimet.

Derisa në fillimet e organizimit të këtij procesi zgjedhor Serbia dhe Lista Serbe ishin deklaruar fuqishëm kundër mbajtës së këtyre zgjedhjeve, tani kanë filluar t`i ndryshojnë qëndrimet. Incident e fillimit të muajit, të cilat ishin parë si përpjekje e Serbisë për t`i penguar zgjedhjet e 23 prillit, duket se janë ndalur. Tani procesi zgjedhor kundërshtohet vetëm me mjete demokratike, duke bërë thirrje për bojkot.

Në zbutjen e këtij qëndrimi duket se ka ndikuar pozicioni i SHBA-së dhe vendeve të fuqishme evropiane për mbajtën e zgjedhjeve. Paralajmërimet e euro-amerikanëve se ata që bëjnë përpjekje për të penguar zgjedhjet do të përballen me ndërkombëtaret duket se është marrë seriozisht edhe nga Lista Serbe, subjekti politik më i madh i serbëve të Kosovës, i cili i ka braktisur këto zgjedhje.

Njohësit e rrethanave politike kanë bërë me dije se duke marrë parasysh rrethanat aktuale nuk priten incidente ditën e zgjedhjeve.

Analisti serb, Dushan Janjiq, ka thënë se Serbia është pajtuar me Listën Serbe që të dielën të mos krijojnë asnjë incident.

Në një intervistë për RTK, ai ka thënë se rruga që ka zgjedhur Kosova për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve nuk është e duhura.

“Ky është një gabim politik i kryeministrit dhe presidentes së Kosovës, por kjo ka ndodhur. Tani do të ndodhë një bojkot i zgjedhjeve dhe kjo është e pakontestueshme. Por ky është në problem më i vogël, pasi problem më i madh është se si do të dilet nga kjo situatë sepse është mëse e qartë se QUINT-i ka inkurajuar qeverinë e Kosovës të bëjë këtë lëvizje. Këtu ekziston një lojë shumë më serioze e menaxhimit të konfliktit në prapavijë dhe këtë do ta kuptojmë vetëm pas 2 majit”, ka deklaruar Janjiq.

SHBA-ja pro mbajtjes së zgjedhjeve

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë pozicionit pro qëndrimin të institucioneve të Kosovës për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, pavarësisht bojkotit të Listës Serbe.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, ka thënë se vendi i tij nuk ka ndryshuar qëndrim për mbajtjen e zgjedhjeve.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Hovenier iu ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të dalin në zgjedhje. “Të gjitha përpjekjet për të penguar mbajtjen e zgjedhjeve përmes kërcënimeve apo përdorimit të dhunës, do të përballen me dënimin e fuqishëm të komunitetit ndërkombëtar”, ka deklaruar Hovenier.

Ai ka bërë me dije se Shtetet e Bashkuara se bashku partnerët e tyre do ta vëzhgojnë nga afër procesin zgjedhor.

Edhe më qartë në këtë drejtim ka qenë Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ai ka thënë se pavarësisht pjesëmarrës rezultati i këtyre zgjedhjeve do të njihet.

“Në këto zgjedhje ne u kemi bërë thirrje dhe unë personalisht u kam kërkuar serbëve, Listës Serbe, që të marrin pjesë dhe të mos heqin dorë nga roli që kanë. Fakti që nuk marrin pjesë, është vendimi i tyre. Por këto parashikohen nga Kushtetuta. Ka vende të paplotësuara. Ka njerëz që nuk po marrin shërbime nga pushteti lokal sepse nuk ka pjesëmarrje. Pra nëse këto zgjedhje janë të lira dhe të ndershme, dhe unë parashikoj që të jenë, rezultati do të jetë legjitim nga këndvështrimi ynë”, ka thënë Escobar.

Lista Serbe kërkon të bojkotohen këto zgjedhje

Më në fund edhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuciq, është bindur se nuk mund ta ndal procesin zgjedhor në këto katër komunat.

Në një intervistë për kanalin televiziv “TV Prva”, i cili kontrollohet nga Qeveria, ai ka thënë se zgjedhjet e së dielës në katër komunat veriore “do të shënojnë zyrtarisht turpin e botës dhe Evropës.

“Serbët i kanë lënë institucionet e Kosovës jo për shkak të tekave të tyre, ose sepse ishin të rrjedhur apo budallenj, ose sepse duan të mbajnë barrikada apo diçka të tillë. Ata u larguan sepse komandanti [Nenad] Gjuriq u përjashtua jashtëligjshëmn. [Ivan] Todosijeviq u dënua për një krim gojor, që shumë serbë u arrestuan, që qëlluan mbi serbë e madje edhe mbi fëmijë, e tash edhe mbi Jovanoviqin”, ka vazhduar të thotë ai.

Një ditë më parë, edhe Lista Serbe doli me një reagim, ku iu bënte thirrje serbëve që të mos dalin në zgjedhjet e së dielës.

“Lista Serbe bën thirrje për bojkotim të përgjithshëm të këtyre zgjedhjeve jo demokratike të organizuara nga Albin Kurti në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq. Më 23 prill të gjitha pikëvotimet do të jenë të zbrazëta me të cilën do të dërgojmë mesazh të qartë te Prishtina por edhe te komuniteti ndërkombëtar”, është thënë në komunikatën e Listës Serbe.

Sipas kësaj partie këto zgjedhje nuk janë demokratike dhe as legjitime.

“I ftojmë të gjithë serbët në Veri të Kosovës që të dielën e 23 prillit të qëndrojnë të qetë dhe të mos bien pre e provokimeve të regjimit të Albin Kurtit qëllimi i vetëm i të cilit është dëbimi i serbëve nga veriu me mbajtjen e këtyre zgjedhjeve”, është thënë në komunikatë.

Në fillim të muajit, kur KQZ-ja kishte filluar përgatitjen e zgjedhjeve të 23 prillit, në veri kishin ndodhur disa incidente në veri. Djegia e disa veturave ish parë si skenar i Serbisë për të kundërshtuar mbajtjen e zgjedhjeve.

Të ngjashme