Lajme
Pse rusët shpallën rënien e Mariupolit? Është shfaqje e Putinit
Demokracia
11:43 | 21 Prill 2022

Share:

Presidenti rus Vladimir Putin këtë mëngjes në një bisedë me ministrin e Mbrojtjes Sergei Shoigu, e cila u transmetua në televizionin rus, deklaroi fitoren e forcave ruse në qytetin e shkatërruar të Mariupolit në jug të Ukrainës.

Por pretendimi i fundit i Rusisë se Mariupol ka rënë në duart ruse nuk përfaqëson ndonjë ndryshim real në terren, sipas korrespondentit të Sky News me bazë në Moskë, Andrew Roth, transmeton Demokracia.com.

Vetë mënyra se si iu dërgua publikut mesazhi për rënien e Mariupolit, gjatë takimit mes Putinit dhe Shoigut, i cili u transmetua në televizionin rus pro regjimit, sugjeron se kjo është një shfaqje për publikun. Gjegjësisht, në një takim me Putinin, Shoigu lexoi një raport në letër për luftimet në Mariupol dhe deklaroi se qyteti ishte “çliruar”, megjithëse në realitet luftimet në Mariupol vazhdojnë ende.

Shoigu tha se “do të duhen edhe disa ditë” që forcat ruse të mposhtin luftëtarët ukrainas që po rezistojnë nga fabrika e madhe e çelikut, Azovstal.

Takimi, sipas Roth, dukej i orkestruar për të justifikuar forcat ruse që të hiqnin dorë nga sulmi ndaj fabrikës së çelikut nga e cila marinsat ukrainas dhe Regjimenti Azov ofruan rezistencë të ashpër.

Putin e quajti planin për të sulmuar fabrikën e çelikut “jopraktik” dhe deklaroi në mënyrë teatrale: “Unë urdhëroj që sulmi të anulohet”.

“Ky është një rast ku ne duhet të mendojmë, domethënë duhet të mendojmë gjithmonë, veçanërisht në këtë rast, për ruajtjen e jetës dhe shëndetit të ushtarëve dhe oficerëve tanë. Nuk ka nevojë që ata të hyjnë në ato katakomba dhe të zvarriten në  impiantet industriale”, i tha Putin ministrit të Mbrojtjes.

Putin ka nevojë dëshpërimisht për një lloj fitoreje

Në vend të kësaj, ai urdhëroi forcat ruse të bllokojnë zonën industriale “në mënyrë që të mos kalojë as një mizë”.

Njoftimi i rënies së Mariupolit është në përputhje me parashikimet e mëparshme të zyrtarëve dhe analistëve perëndimorë, të cilët kanë thënë prej disa kohësh se Putinit i duhet shpejt një lloj fitoreje që mund ta festonte në një paradë të madhe ushtarake në Moskë më 9 maj, Ditën e Fitores ndaj nazizmit.

Domethënë, pushtimi rus i Ukrainës, për ta thënë më butë, nuk është në përputhje me planin për të pushtuar shpejt Kievin dhe për të rrëzuar Volodymyr Zelenskyn. Ukrainasit u bënë rezistencë të ashpër forcave ruse dhe u shkaktuan atyre humbje të mëdha. /Demokracia.com/

Të ngjashme