Një deklaratë e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Christopher Hill, ku lavdëroi Vuçiqin dhe tha se palët e tjera nuk u treguan konstruktive në takimin e fundit të dialogut ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq, ngjalli reagime të ashpra në Kosovë.
Pak orë pasi komentuesit në rrjetet sociale e “kryqëzuan” ambasadorin amerikan, mikun e Kosovës në faza shumë delikate të saj, reagoi edhe kryeministri Albin Kurti.
Ai i quajti gënjeshtra deklarimet e ambasadorit Hill, shkruan Demokracia.com.
Kurti tha se në takimin e fundit në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi u fol për menaxhimin e krizës në veri të vendit, për zbatimin e vendimeve për dokumentet në hyrje-dalje për shtetasit serbë dhe riregjistrimin e veturave me targa të përkohshme që lëshohen nga Serbia.
“Në Bruksel, nuk kemi pasur angazhim konstruktiv e as propozime konkrete nga pala serbe”, tha Kurti, duke shtuar se katër propozime konkrete lidhur me këtë çështje ishin dhënë nga Miroslav Lajçak, përfaqësues i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi.
Kjo deklaratë e Kurtit vjen edhe si kundërpërgjigje ndaj deklaratave të ambasadorit amerikan në Beograd, Christofer Hill, i cili më 23 gusht e ka quajtur të përgatitur palën serbe për paraqitjen e saj në rundin e fundit të dialogut. Ndërkaq, palët e tjera, siç tha ai, nuk ishin të përgatitura “që të flasin për specifika”.
Gjatë një interviste për median serbe, N1, Hill tha se në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga BE-ja po tentohen të bëhen dy gjëra: adresimi i çështjeve urgjente, përkatësisht vendimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për targat dhe dokumentet serbe dhe adresimi i çështjeve, siç tha ai, të rëndësishme.
“Të them të drejtën, pala serbe veproi mirë. E dinin se për çfarë do të flisnin, çfarë ishte e rëndësishme. Fatkeqësisht, disa prej të tjerëve nuk ishin të përgatitur për të folur për specifika”, tha Hill, përcjell Demokracia.com.
Hill tha se në takimin midis Kurtit dhe Vuçiqit, ky i fundit shkoi i përgatitur “për të negociuar dhe vërtet bëri punët e shtëpisë”.
“Prandaj, mendoj se ata [Serbia] vërtetë tentuan që të ishin fleksibil dhe për të gjetur zgjidhje”, tha Hill.
Por, kush është Christofer Hill dhe cili ishte roli i tij prej fillimit të luftës në Kosovë e deri më sot?
Nominimi i Christofer Hill, diplomat me përvojë ndërkombëtare e ballkanike dhe emërimi i tij në Beograd nga administrata Biden, u pa si rikthim i vëmendjes së diplomacisë amerikane në rajon.
Hill ka mbajtur poste të rëndësishme në diplomacinë amerikane.
Ai konsiderohet si një negociator i vështirë dhe këtë status e konfirmoi edhe gjatë periudhës kur ishte i dërguar special për Kosovën në negociatat e vitit 1999 në Rambuje të Francës, i cili luajti një nga rolet kryesore në negociatat që i paraprinë konferencës në Rambuje në vitin 1999, ku ishte pjesë e grupit të njohur si Grupi i Kontaktit.
Diplomati amerikan shërbeu si ambasador në Irak, Kore, Poloni, Maqedoni e Shqipëri dhe si ndihmës-sekretar shteti për Azinë Lindore dhe Paqësorin, por edhe si kreu i delegacionit amerikan në bisedimet gjashtë-anëtarëshe për Korenë e Veriut.
Hill ka fituar çmime të shumta, përfshirë Çmimin “Robert Fraser” për Negociatat e Paqes dhe Çmimin e Sekretarit të Shtetit për Shërbim të Shquar.
Gjatë vitit 2021, ai ishte një asistent-profesor në Universitetin Columbia në Shkollën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Publike. /Demokracia.com/