OpEd
Pse po dështon kryqëzata anti-Putin e Joe Biden?
Demokracia
14:59 | 15 Maj 2022

Share:

Nga Michael Hirsh “Foreign Policy”

Në fillim, pushtimi i Ukrainës nga presidenti rus Vladimir Putin, u duk se ishte një shkas ideal për fushatën globale për demokracinë e presidentit amerikan Xho Bajden. E çfarë mund të ishte më e mirë sesa spektakli i një demokracie të guximshme që lufton kundër një autokrati brutal?

Siç e tha Bajden në fjalimin e mbajtur gjatë vizitës që kreu në muajin mars në Poloni, Ukraina ishte tashmë “vija e parë e frontit në luftën e përhershme për demokraci dhe liri”. Por pavarësisht suksesit të Ukrainës në terren kundër ushtrisë së Putinit, përpjekjet e

Shtëpisë së Bardhë në muajt që pasuan, për ta cilësuar këtë konflikt si një betejë titanike mbarëbotërore midis demokracisë dhe autokracisë duket se nuk po funksionojnë shumë mirë.

Përveç aleatëve në Evropën Perëndimore dhe partnerëve të vjetër të SHBA-së si Japonia në lindje, pjesa tjetër e botës thjesht po rri mënjanë. Problemi i parë: Shumica e këtyre vendeve ose nuk janë demokraci ose kanë kaq shumë të meta në  demokracinë e tyre, saqë janë shumë pak të frymëzuar nga kjo retorikë.

Problemi i dytë: Në sytë e pjesës më të madhe të botës, vendi që po predikon këtë fushatë -Shtetet e Bashkuara – është vetë një demokraci me të meta të rënda, që ka nevojë së pari të vetëripërtërihet. Këto probleme ishin shumë të dukshme në Shtëpinë e Bardhë këtë javë, kur Bajden mirëpriti udhëheqësit nga Shoqata e Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN), shumica e të cilëve janë autokratë ose përfaqësojnë shtete njëpartiake, që nuk tregojnë ndonjë shenjë se do të bëhen një ditë vende demokratike.

Midis tyre, lideri shumëvjeçar autoritar i Kamboxhias, Hun Sen; Kryeministri i Tajlandës Pravut Çan-Osha, ish-gjeneral që u ngjit në pushtet përmes një grushti shteti në viti 2014; dhe udhëheqësit autoritarë të Vietnamit, Laosit dhe Bruneit. Mes tyre nuk ishte vetëm kreu i juntës ushtarake të Mianmarit, Min Aung Hlaing, një tjetër anëtar i ASEAN, tranmeton CNA.

Kurt Kempbëll, këshilltari kryesor i Bajdenit në Shtëpinë e Bardhë për Azinë Lindore, e pranoi të mërkurën se bisedimet do të ishin “ndoshta paksa të pakëndshme në ndonjë  moment”, por shtoi se nuk u trajtuan drejtpërdrejt çështjet e demokracisë në rajon. “Ne e pranojmë se ka dallime pikëpamjesh”- tha ai në një forum në Institutin e Paqes me seli në SHBA.

Shumica e këtyre vendeve kanë treguar se janë të papozicionuara në luftën midis Rusisë dhe Perëndimit. Madje Indonezia, një tjetër anëtar kryesor i ASEAN, dhe zyrtarisht një vend demokratik, e ka ftuar Putinin në samitin e G-20 që do të organizojë në nëntor.

Vendeve të ASEAN-it u bashkohen edhe vendet në të gjithë Lindjen e Mesme, Azinë Jugore, Amerikën Latine dhe Afrikë. Këtu përfshihen një sërë demokracish, por edhe një mori vendesh autokratike apo demokraci plot dritëhije që përfaqësojnë shumicën e popullsisë së botës.

Dhe ata nuk janë të bindur se Rusia, një burim kryesor i furnizimeve të tyre me naftë dhe gaz, duhet të shkëputet nga sistemi global. “Qëndrimi i tyre është: Kush jeni ju që na tregoni se çfarë të bëjmë, apo të na tregoni se cilat janë të drejtat tona? Njerëzit në vendin tuaj që fitojnë votën popullore nuk zgjidhen dot president. Prandaj mos na predikoni neve demokracinë!”- thotë Majkëll Kopexh, ekspert i procesit të demokratizimit në Universitetin Notrë Dam.

Sipas një raporti të “Freedom House”, “demokracia në Shtetet e Bashkuara ka pësuar një erozion serioz”. Raporti zbuloi se SHBA ka zbritur në nivelin e demokracive me të meta si Panamaja, Rumania dhe Koreja e Jugut dhe arrin në përfundimin se: “Dobësimi i demokracisë amerikane nuk filloi me presionin e drejtpërdrejtë të presidentit Donald Trump mbi institucionet demokratike, dhe largimi i tij nga Shtëpia e Bardhë nuk i ka dhënë fund krizës”.

Kritikët thonë se ndërsa kuadri i konfliktit nga ana e administratës Biden po funksionon mirë brenda NATO-s dhe Perëndimit, presidenti amerikan duhet ta ri-mendojë qasjen e tij, nëse dëshiron të mbledhë më shumë aleatë në përpjekjet e tij për të izoluar dhe dobësuar Rusinë.

Ças Friman, një ish-diplomat i lartë amerikan, që ndihmoi në hartimin e konceptit të “rendit të ri botëror” të Xhorxh H.W Bush gjatë krizës së Gjirit Persik të viteve 1990-1991 thotë se Shtetet e Bashkuara do të duhet të punojnë shumë për të rivendosur besueshmërinë në skenën globale, pas shkeljeve më të fundit të normave ndërkombëtare, duke përfshirë përdorimin e torturës dhe pushtimin e Irakut.

Por problemi i besueshmërisë së Bajden, shtrihet në vende të tjera të mëdha, të cilat nuk i janë bashkuar fushatës së presidentit amerikan dhe që vazhdojnë të mos e dënojnë pushtimin rus. Për Indinë, problemi ka pak të bëjë me demokracinë. Përkundrazi, gjithçka ka të bëjë me sigurinë kufitare.

cna lajme

Udhëheqësi i saj gjithnjë e më autokratik, kryeministri Narendra Modi, është një populist që ushqen urrejtje sektare midis hinduve dhe myslimanëve, ndërsa në skenën ndërkombëtare, ai mban marrëdhënie të mira si me Moskën po ashtu edhe me Uashingtonin.

Që nga fillimi i këtij viti, India e ka shtuar shumë sasinë e naftës që blen me ulje çmimi nga Rusia. Modi ka dëshpërimisht nevojë për këtë gjë, për të mbështetur ekonominë e dobësuar të Indisë nga pandemia. Për Nju Delhin, çështja më kryesore është integriteti i kufijve sipas Marrëveshjes Panshel të vitit 1954 midis Indisë dhe Kinës.

Por sfida më e madhe e Bajden, është se demokracia është në tërheqje që nga fundi i Luftës e Ftohtë. “Niveli i demokracisë që gëzon qytetari mesatar global në vitin 2021 është ulur në nivelet e 1989-ës. Aktualisht janë zhbërë 30 vitet e fundit të përparimeve demokratike”- thuhet në një raport të Institutit V-Dem në SHBA.

Sipas tij sot nën diktaturë  jeton 70 për qind e popullsisë së botës, ose 5.4 miliardë njerëz. Demokracitë liberale sot mund të gjenden vetëm në 34 vende, nga kulmi i saj prej 42 vendesh në vitin 2012, dhe ku jeton vetëm 13 për qind e popullsisë së botës.

Një pengesë në luftën globale mbi normat ndërkombëtare është Kina autoritariste, e cila synon të ndjekë një rrugë të mesme midis Rusisë dhe Perëndimit. Presidenti kinez Xi Jinping po i qëndron deri tani partneritetit të tij me Putinin, por Pekini ka respektuar në përgjithësi sanksionet ekonomike kundër Rusisë.

Zyrtarët kinezë thonë se vendi i tyre nuk ka dëshirë të mbajë  anë, por Uashingtoni ia ka bërë më të vështirë pozicionin, duke e portretizuar konfliktin në Ukrainë si një konflikt që ka të bëjë kryesisht me demokracinë e stilit perëndimor dhe jo me normat globale.

Kina e lakmon Tajvanin po aq sa Rusia Ukrainën. Por edhe pse Uashingtoni e përqafon zyrtarisht politikën e tij të “një Kine”, duke e pranuar se Tajvani është pjesë e një Kine të vetme, në terren vepron ndryshe.

Administrata Bajden nuk ka ofruar ndonjë nismë të re për ta larguar Pekinin nga Moska.

Edhe vendet e tjera të mëdha, madje edhe ato demokratike, po bëjnë llogaritjet e tyre të bazuara në faktorë që kanë pak të bëjnë me kërcënimin ndaj demokracisë.

Presidenti brazilian Zhair Bolsonaro deklaroi së fundmi se do të vazhdojë të mbështesë pjesëmarrjen e Rusisë në forumet ndërkombëtare, si G-20, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore. Disa ekspertë thonë se edhe sjelljet kontradiktore në qasjen e Bajden ndaj demokracisë, e kanë dëmtuar kauzën e tij.

Samiti i Demokracisë i zhvilluar online fundin e vitit të kaluar, u kritikua gjerësisht për mënyrën arbitrare sesi u ftuan disa vende, ndërsa të tjerat u shpërfillën. Për shembull, u ftua presidenti anti-SHBA i Filipineve, Rodrigo Duterte, pavarësisht fushatës së tij të dhunshme pro ekzekutimeve jashtëgjyqësore, ndërsa u përjashtua Singapori i vlerësuar si “pjesërisht i lirë” nga “Freedom House”. Në fakt ky i fundit renditej më lart sesa disa të ftuar të tjerë në samit si Angola, Iraku, Republika Demokratike e Kongos, Pakistani, Nigeria dhe Libani.

Të ngjashme
OpEd • 19 Prill 2024
OpEd • 18 Prill 2024