Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, i ka bërë vazhdimisht thirrje NATO-s që ta bllokojë hapësira ajrore të Ukrainës, që të mos mund të fluturojnë aeroplanët rusë.
“Edhe sa kohë do të jetë bota bashkëpunëtore duke injoruar terrorin? Bllokoni qiellin menjëherë. Ndaloni vrasjet!”, kishte shkruar Zelenskyy, duke akuzuar Rusinë për sulmin.
Ndonëse vendet perëndimore janë treguar të gatshme ta dënojnë sulmin ushtarak të Moskës, duke vendosur sanksione të ashpra për ekonominë e Rusisë, bllokimi i hapësirës ajrore, që ndryshe njihet si zonë “ndalim-fluturimi”, nuk është ndërmarrë si veprim, shkruan Demokracia.com.
“No-fly zone” u krijua si term në fillim të viteve 1990 gjatë Luftës së Gjirit, kur një koalicion prej 35 vendesh i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara u bashkua për të larguar forcat e Irakut të Sadam Huseinit nga Kuvajti. Në vitin 1993, NATO vendosi një zonë ndalim-fluturimi gjatë luftës në Bosnje, ndërsa në vitin 2011 u përdor në Luftën Civile Libiane që rrëzoi qeverinë e Muammar Gaddafit.
Kjo nënkupton një zonë të kufizuar mbi të cilët avionët me origjinë specifike, në këtë rast të Moskës, nuk do të lejoheshin të fluturonin.
“Ne përsërisim çdo ditë: bllokoni qiellin mbi Ukrainë”, kishte thënë Zelenskyy.
“Nëse nuk e bëni, nëse nuk na jepni të paktën aeroplanë që të mund të mbrohemi, si përfundim: ju doni që të vritemi shumë ngadalë”, kishte shtuar ai.
Ndonëse kërkesa e Zelenskyt duket e thjeshtë, ajo në praktikë është një veprim i ndërlikuar dhe i rrezikshëm, shkruan Demokracia.com.
Por, pse NATO-ja nuk po e bllokon qiellin e Ukrainës?
Në rastin e Ukrainës, vendosja e zonës së ndalim-fluturimit do ta vendoste NATO-n përballë një superfuqie që e ka ushtrinë e dytë më të fuqishme në botë – përball një fuqie bërthamore. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka theksuar vazhdimisht për gazetarët sa herë QË është pyetur për një veprim të tillë se do të çonte në një luftë më të madhe në Europë.
“Ne e kuptojmë dëshpërimin, por nëse do ta bënim këtë gjë, do të përfundonim me diçka që mund të çonte në një luftë të plotë në Europë, që përfshin shumë më shumë vende dhe shumë më tepër vuajtje”, kishte thënë Stoltenberg, përcjell Demokracia.com.
Konkretisht, nëse NATO do ta zbatonte kërkesën e Zelenskyt do të duhej që shtetet anëtare të vendosnin avionë luftarakë në gjithë hapësirën ajrore të Ukrainës, për të luftuar me forcat ruse, ku operacionet e gjurmimit, vëzhgimit dhe ndërhyrjes do të shtriheshin në një sipërfaqe prej 603,548 km².
Pas kësaj, vendet e NATO-s do të duhej të vendosnin edhe sisteme mbrojtëse tokësore për t’u siguruar që avionët e aleancës të mos goditen. Për të garantuar epërsinë ajrore, NATO do të duhej të vendoste sisteme jashtë Ukrainës dhe rrjedhimisht do të ndërhynte në territorin rus ose bjellorus.
Ky ndërveprim do të çonte në konflikt të drejtpërdrejtë me Rusinë dhe sipas Nenit 5 të NATO-s, një sulm ndaj një anëtari të NATO-s është sulm ndaj gjithë të tjerëve.
“Ne nuk jemi pjesë e këtij konflikti. Dhe ne kemi përgjegjësinë të sigurojmë që ai të mos përshkallëzohet dhe të mos përhapet përtej Ukrainës”, kishte thënë Stoltenberg.
Ekspertët i frikësohen luftës bërthamore mes NATO-s dhe Rusisë, që sado e pabesueshme që mund të duket, ajo asnjëherë nuk mund të konsiderohet e pamundshme. /Demokracia.com/