OpEd
Pse NATO duhet të shqetësohet për Ballkanin?
Demokracia
16:15 | 07 Prill 2022

Share:

Nga Harun Karcic “Foreign Policy”

Pushtimi rus i Ukrainës, ka risjellë kujtime të trishta për miliona myslimanë boshnjakë, që vuajtën shumë nën regjimin e diktatorit serb Sllobodan Millosheviç dhe vartësve të tij  famëkeq, Radovan Karaxhiç dhe Ratko Mlladiç.

Shumë nga ne boshnjakët janë plotësisht solidarë me ukrainasit, përfshirë edhe mua. Si gazetar, qëndroj përpara laptopit dhe celularit tim për pjesën më të madhe të ditës, duke ndjekur lajmet që vijnë nga Kievi dhe qytete të tjera të Ukrainës, të cilat ndodhen nën bombardimet e pamëshirshme të ushtrisë ruse.

Jo shumë kohë më parë qyteti im Sarajeva, u bombardua në mënyrë të ngjashme. Isha 8 vjeç kur serbët e Bosnjës rrethuan Sarajevën, kryeqytetin e Bosnje-Hercegovinës, në vitin 1992, dhe më kujtohet mirë që dëgjoja para sulmit të njëjtën propagandë që dëgjoj tani nga Kremlini për Ukrainën.

Në fakt, kuptova se ideologjia dhe justifikimi i presidentit rus Vladimir Putin për pushtimin e Ukrainës, nuk janë gjë tjetër veçse një kopje e zbehtë e projektit të “Serbisë së Madhe” të Millosheviçit në fillim të viteve 1990, që parashikonte pushtimin dhe aneksimin e të paktën gjysmës së Bosnjës.

Lufta e vazhdueshme në Ukrainë dhe tensionet e fundit në Nagorno-Karabak, një rajon i kontestuar midis Azerbajxhanit dhe Armenisë, më kanë nxitur të kuptoj se si konfliktet e ngrira mund të shndërrohen brenda natës në luftëra në shkallë të plotë.

Ata nga ne që jetojnë në Bosnje Hercegovinë, janë shumë të vetëdijshëm se konflikti ynë i ngrirë, është një fuçi baruti që pret të ndizet, dhe se vetëm një prani e fuqishme ushtarake e NATO-s mund të sigurojë paqen dhe stabilitetin afatgjatë. Ngjashmëritë mes irredentizmit rus dhe atij serb, janë mbresëlënëse.

Në vitet 1990, nacionalistët serbë propaganduan gjerësisht pretendimin se Bosnja i përkiste historikisht Serbisë, se ne myslimanët boshnjakë ishim në fakt serbë të krishterë që u konvertuam me forcë në Islam nën sundimin osman, dhe se Bosnja – si një vend i pavarur dhe sovran – nuk do të mbijetonte dot pa tutelën serbe.

Aq shumë e mirëkuptojnë situatë ku ndodhen sot ukrainasit myslimanët boshnjakë, saqë janë mbledhur shumë donacione në para, dhe kryhen rregullisht lutjet në xhami për mbrojtjen e Ukrainës. Megjithatë, mund të bëhet shumë më tepër se kaq.

Së bashku me Serbinë dhe Bjellorusinë, Bosnja mbetet një nga vendet e pakta evropiane që nuk ka vendosur asnjë sanksion kundër Rusisë. Por në dallim nga Serbia dhe Bjellorusia, të cilat janë ideologjikisht të lidhura me Rusinë, Bosnja është e ndarë mbi këtë çështje përgjatë linjave etnike, një reflektim ky i qartë i mosmarrëveshjeve të brendshme politike.

Vendimet mbi politikën e jashtme të Bosnjes, merren me konsensusin e 3 anëtarëve të presidencës trepalëshe të vendit. Një nga anëtarët e presidencës është Milorad Dodik, një udhëheqës ultra-nacionalist serb, që është bërë i famshëm për retorikën e tij të hapur islamofobike, si dhe për urrejtjen dhe shpërfilljen e tij absolute ndaj vendit që ai përfaqëson.

Një aleat i vendosur i Putin dhe i presidentit nacionalist të Serbisë, Aleksandar Vuçiç,

Dodik është në gjendje të vendosë veton ndaj politikës së jashtme të Bosnjës, përfshirë parandalimin e njohjes së pavarësisë së Kosovës, dhe bllokimin e anëtarësimit të Bosnjesnë NATO.

Me mbështetjen e Moskës dhe Beogradit, Dodik dhe miqtë e tij kanë mbrojtur pavarësinë e Republikës Srpska, e cila përbën 49 për qind të territorit të Bosnjës. Megjithatë, ndjenja pro-ruse nuk kufizohet vetëm tek Dodik dhe aleatët e tij politikë. Ajo është gjerësisht e përhapur midis serbëve të Bosnjës dhe atyre në Serbi.

Pak ditë më parë qytetarët në qytetin boshnjak me shumicë myslimane të Tuzlës, u mblodhën për të shprehur mbështetjen për Ukrainën, ndërsa u organizua një tubim paralel në mbështetje të Rusisë nga banda e motoçikletave pro-Putin “Night Wolves” në Banja Luka, e cila ndodhet në njësinë e Republika Srpska.

Rrjetet e patronazhit politik dhe ekonomik të Dodik, kanë rrënjë të thella në Serbi dhe Rusi. Që të dyja këto të fundit mbështesin, por edhe orkestrojnë direkt lëvizjet e tij. Vuçiç, një aleat i vendosur i Putinit, ka mbajtur një qasje të balancuar që nga fillimi i luftës në Ukrainë. Ai ka hapur dyert e vendit të tij për refugjatët ukrainas, por nuk ka pranuar të vendosë sanksione ndaj Moskës, apo të mbyllë hapësirën ajrore të Serbisë ndaj avionëve rusë. Megjithatë, mediat pro-qeveritare e kanë përshëndetur pushtimin e Ukrainës nga Rusia dhe kanë lavdëruar Putinin dhe ushtrinë e tij. Sipas një sondazhi të fundit, 83 për qind e serbëve e konsiderojnë një “vend mik” Rusinë. Moska e ka shtuar ndërhyrjen e saj diplomatike, duke iu drejtuar vëllezërve të saj sllavë dhe ortodoksë për të shfrytëzuar dhe thelluar ndarjet etnike dhe politike aktuale.

Pas pushtimit të fundit të Rusisë në Ukrainë, ambasadori i Rusisë në Bosnje, Igor Kalabukov, është bërë shumë më arrogant. Ai e kërcënoi së fundmi Bosnjen me skenarin e Ukrainës, nëse Bosnja vazhdon të synojë anëtarësimin në NATO, duke thënë: “Nëse Bosnje Hercegovina, vendos të jetë anëtare e ndonjë aleance, kjo është një çështje e brendshme. Përgjigja jonë është një çështje tjetër. Shembulli i Ukrainës tregon se çfarë duhet pritur. Nëse ka ndonjë kërcënim, ne do të kundërpërgjigjemi”.

Kjo deklaratë ishte në të njëjtën linjë me kërcënimet e Kalabukov vitin e kaluar kur ambasada e tij tha: “Në rastin e një afrimi praktik të Bosnje-Hercegovinës dhe NATO-s, vendi ynë do të duhet të reagojë ndaj këtij akti armiqësor”.

Ambasada e SHBA-së në Sarajevë reagoi menjëherë, duke thënë se kërcënimet e ambasadorit rus ndaj Bosnje Hercegovinës ishin “të rrezikshme, të papërgjegjshme dhe të papranueshme” dhe se “asnjë palë e tretë nuk mund të ndërhyjë në marrëveshjet e sigurisë midis NATO-s dhe vendeve sovrane”.

Sigurisht, Rusia nuk e sheh Bosnje Hercegovinën apo ndonjë shtet tjetër të vogël të Ballkanit Perëndimor si një kërcënim të sigurisë kombëtare. Megjithatë, parandalimi i anëtarësimit të tyre në NATO dhe Bashkimin Evropian është një qëllim strategjik brenda objektivave më të gjera të politikës së jashtme ruse.

Dhe Bosnja është objektivi më i lehtë, pasi problemet etnike ekzistuese, mund të thellohen qëllimisht për ta shmangur vëmendjen e BE-së dhe NATO-s nga planet më ambicioze të Moskës, si ato në Ukrainë. Dhe një pretekst për ndërhyrjen e mëtejshme të Moskës në Bosnje po ndërtohet ngadalë por në mënyrë të qëndrueshme.

Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, pretendoi kohët e fundit se mercenarë nga Bosnja, Kosova dhe Shqipëria po rekrutoheshin dhe transferoheshin në rajonin e Donbasit në Ukrainë për të luftuar kundër rebelëve të mbështetur nga Moska, diçka që qeveritë rajonale e mohuan me forcë.

Retorika e konfliktit po buron edhe nga liderët politikë të grupit të tretë etnik të Bosnjes, kroatët dhe partia e tyre politike, Unioni Demokratik Kroat, që e sheh atmosferën e paqëndrueshme si një mundësi për të ndjekur reformat e veta zgjedhore të krijuara, me synim rrënjosjen e mëtejshme të sistemi politik aktual etno-nacionalist, në kurriz të partive politike liberale dhe qytetare.

Një ekonomi e dobët, korrupsion i shumë-përhapur, reforma të dështuara dhe një komunitet ndërkombëtar i pa interesuar, po e dëmtojnë të ardhmen e vendit. Ka një konsensus të gjerë midis vëzhguesve vendas dhe atyre ndërkombëtarë se Bosnja po përballet aktualisht me krizën e saj më të rëndë të pasluftës.

Nuk është më vetëm një krizë politike, por një krizë sigurie, e cila po përkeqësohet me shpejtësi. Ndërsa NATO po e forcon krahun e saj lindor dhe aleatët, ajo duhet të mos lërë jashtë vëmendjes as Ballkanin. Aleanca duhet të forcojë praninë e saj ushtarake në Bosnje, dhe të investojë më shumë burime kundër ndërhyrjeve serbe dhe ruse.

Një prani më e dukshme dhe më e fuqishme ushtarake e NATO-s, do të dërgojë mesazhin e duhur për përfaqësuesit e Putinit në rajon. Nëse serbët e Bosnjës shpallin pavarësinë, në kufijtë e dy vendeve anëtare të NATO-s, Kroacisë dhe Malit të Zi, do të formohet një shtet pro-rus i ngjashëm me Abkhazinë. Atëherë ai nuk do të jetë më problemi i Bosnjës, por një dhimbje koke e madhe për NATO-n.

Të ngjashme