OpEd
Pse Komuniteti Politik Evropian do ta afrojë më shpejt Ballkanin me BE-në
Demokracia
07:49 | 13 Korrik 2022

Share:

Nga Marie Dumoulin “European Council on Foreign Relations”

Që kur Këshilli Evropian i dha statusin e kandidatit Ukrainës dhe Moldavisë, politikë-bërësit evropianë kanë debatuar mbi vizionin e presidentit francez Emmanuel Macron për krijimin e një “komuniteti politik evropian”. Vendimi i Këshillit në samitin e 23-24 qershorit, përmend propozimin për krijimin e një “Evrope më të zgjeruar” por nuk shpjegon se çfarë forme do të marrë ky komunitet.

Këshilli njohu gjithashtu perspektivën evropiane të Gjeorgjisë, duke premtuar dhënien e statusit të kandidatit pasi të ketë plotësuar disa kushte. Në kontekstin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës, vendimi i Këshillit përbën një shfaqje solidariteti me një Ukrainë të shkatërruar nga lufta, dhe një Moldavi shumë të brishtë dhe të rrezikuar.

Për më tepër, ai ua bën të qartë shteteve aspirante për anëtarësim, se politika e zgjerimit është një mjet gjeopolitik, të cilin BE-ja mund ta përdorë për t’iu kundërvënë ndikimit destabilizues të aktorëve të tretë në zonat rreth e rrotull saj. Megjithatë, kjo është një qasje e rrezikshme ndaj zgjerimit.

Vendimi historik për Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë, mund ta dobësojë politikën e zgjerimit dhe të rrisë cënueshmërinë e vendeve kandidate ndaj presionit të jashtëm. Zhgënjimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor me vendimin e Këshillit Evropian, tregon rreziqet e kësaj qasjeje ndaj zgjerimit.

Këto vende janë të nervozuara prej kohësh nga të metat e shumta dhe të dukshme që vërehen në procesin e zgjerimit të BE-së. Për shembull, ka një kontradiktë thelbësore midis agjendës ambicioze të reformave që BE-ja përcakton për vendet kandidate, dhe agjendës rajonale që ajo promovon përmes politikës së saj të zgjerimit.

Unioni e përdor politikën e tij të zgjerimit për të zgjidhur mosmarrëveshjet rajonale (si ajo midis Serbisë dhe Kosovës), ndërsa nga ana tjetër e lidh përparimin e një vendi në negociata me atë të një vendit tjetër. Kjo qasje i ka lënë shpesh vendet të përfshira në një lidhje të dyfishtë, ku disa kanë përfituar më shumë se të tjerët.

Për shembull, Serbia ka hapur disa kapituj të rinj në bisedimet e anëtarësimit në BE, pavarësisht se nuk ka shënuar ndonjë përparim domethënës në reformat e saj demokratike. Ndërkohë, Shqipëria nuk i ka nisur ende bisedimet e anëtarësimit, pavarësisht se ka bërë progres real në reformat e saj.

Kjo sepse BE synon të hapë bisedimet me Shqipërinë në të njëjtën kohë me Maqedoninë e Veriut, teksa kjo e fundit ende është e bllokuar nga vetoja bullgare. Për pasojë, disa udhëheqës të Ballkanit Perëndimor e përdorin perspektivën e anëtarësimit për të rritur ndikimin e tyre në vend, në një kohë që dështojnë të zbatojnë reforma dhe fajësojnë BE-në dhe shtetet e saj anëtare për mungesë progresi. Kjo është arsyeja pse shumë qytetarë të shteteve të Ballkanit Perëndimor, e shohin gjithnjë e më shumë anëtarësimin në BE si një objektiv jo të qëndrueshëm dhe zhgënjehen me procesin.

Prandaj, vendimi për t’i dhënë statusin e kandidatit Ukrainës dhe Moldavisë, është i rrezikshëm për të paktën dy arsye. Së pari, ekziston rreziku i premtimeve të tepruara dhe i mos-rmbajtjes së tyre, gjë që do të shkaktonte zhgënjime të ngjashme në të dyja vendet, dhe kjo gjë është që tani e dukshme në Ballkanin Perëndimor.

Së dyti, BE-ja mund të duket se po i jep Ukrainës dhe Moldavisë një “favorizim gjeopolitik”, pra duke e mbështetur kandidaturën e tyre në BE për shkak të agresionit rus, dhe jo për shkak të qasjes së tyre ndaj reformave demokratike, sundimit të ligjit apo konvergjencës ekonomike me unionin, raporton abcnews.al.

Ky sinjal do të ishte veçanërisht shkatërrues për vendet kandidate në Ballkanin Perëndimor dhe gjetkë, pasi ato do të kishin më pak motivim për të ndërtuar demokraci të qëndrueshme, transparente me ekonomi konkurruese. Por kjo do të kishte pasoja katastrofike edhe për BE-në.

Nëse rregullat dhe parimet për ndërmarrjen e reformave nuk do të shiheshin më si parakushte për anëtarësimin në BE, unioni do ta kishte më të vështirë të mbante një qëndrim të fortë ndaj këtyre rregullave dhe parimeve në shtetet e tij anëtare. Po ashtu, kjo do t’i tregonte fuqive të jashtme – kryesisht Rusisë dhe Kinën – se politika e zgjerimit të BE-së ka të bëjë me gjeopolitikën.

Më pas këto fuqi, mund të shfrytëzojnë periudhën që kanë vendet midis statusit të kandidatit dhe anëtarësimit, për ta prishur procesin apo për të rritur ndikimin e tyre mbi shtetet e ardhshme anëtare. Nga ana tjetër, vendet kandidate dhe BE-ja do të bëheshin më të cënueshme.

Një Komunitet Politik Evropian, mund ta ndihmojë BE-në që t’i kapërcejë këto probleme. Duke i lidhur më fort vendet kandidate me unionin, një komunitet i tillë do të krijonte një nxitje më të fortë që këto vende të zbatojnë reformat e kërkuara.

Nga ana tjetër, këto reforma do të përmirësonin kohezionin e një BE-je me më shumë se 30 shtete anëtare, dhe do t’i ndihmonin ato që t’i rezistonin presionit të jashtëm. Një komunitet politik, nuk do të ishte një zëvendësues për zgjerimin e BE-së, por një mekanizëm për t’i ndihmuar vendet kandidate dhe aspirante kandidate në rrugën e anëtarësimit.

Përfitimet nga anëtarësimi në këtë komunitet politik, nuk duhet të përqendrohen vetëm në

zgjerimin e tregut të përbashkët, pasi kjo do të krijonte përshtypjen se BE-ja është thjesht një bllok tregtar. Përkundrazi, unioni duhet të mbështesë reformat, për ta vënë theksin tek fakti që ky është një projekt i përbashkët politik, raporton abcnews.al.

Për më tepër, ai duhet të ofrojë ndihmë në fushën e sigurisë për anëtarët e komunitetit, duke ndihmuar në rritjen e qëndrueshmërisë së tyre ndaj një sërë sfidash të sigurisë (përfshirë sulmet kibernetike, dezinformimin dhe përdorimin e korrupsionit për të minuar stabilitetin politik të një vendi).

Dhe për t’i arritur këto qëllime, Bashkimi Evropian nuk ka nevojë të ndërtojë korniza të reja që mund të përsërisin përvojën e saj me Unioni për Mesdheun. Në fakt, nëse veprohet sërish me këtë qasje, mund të prodhohen struktura që janë guaska boshe, dhe që u japin vendeve kandidate përshtypjen se janë grupuar në kategorinë e dytë.

Komuniteti Politik Evropian, duhet të ndërtohet mbi institucionet dhe politikat ekzistuese të BE-së, dhe duhet të gjejë mënyra të reja për të përfshirë në to vendet kandidate. Samiti i qershorit i Këshillit Evropian, çoi në një fazë të re të politikës së zgjerimit të BE-së. Por, nëse procesi i zgjerimit vazhdon të jetë vetëm teknokratik, ekziston rreziku që kjo ta rrisë akoma më shumë zhgënjimin ndaj tij në vendet fqinje me unionin. Ndërkohë, një qasje thjesht gjeopolitike ndaj procesit, do të ulte pritshmëritë e vendeve kandidate dhe do të dobësonte të gjitha vendet e tjera të përfshira në të. Përpjekjet për ta zbutur këtë tension do të dështojnë, nëse ato vetëm sa e zgjerojnë tregun e përbashkët, ose krijojnë një kornizë boshe për anëtarësimin e vendeve kandidate.

Politikë-bërësit evropianë duhet ta përshtatin procesin e zgjerimit me aspiratat e përbashkëta të shteteve anëtare si dhe të vendeve kandidate, por edhe me pikëpamjet e tyre mbi natyrën e projektit evropian. Të gjitha vendet anëtare dhe ato kandidate, duhet të diskutojnë në lidhje me arsyet dhe pritshmëritë e tyre për anëtarësimin në BE.

Për shembull, a synojnë vendet kandidate të bëhen pjesë e tregut të përbashkët, familjes së BE-së, apo e një hapësire të përbashkët, apo të fitojnë mbrojtje nga fqinjët e fuqishëm? Të njëjtat pyetje duhet t’u bëhen edhe vendeve anëtare aktuale. Si e shohin ata funksionimin e BE-së me më shumë anëtarë?

Komuniteti politik evropian nuk duhet të jetë vetëm një forum diskutimi, por edhe një lloj i ri bashkëpunimi më i ngushtë ndërmjet vendeve kandidate dhe BE-së. Ndërsa BE-ja dhe shtetet e saj anëtare po e shpikin këtë lloj të ri asociimi, ato duhet të kenë shansin të reflektojnë mbi natyrën e vetë projektit evropian.

Të ngjashme
OpEd • 23 Prill 2024