OpEd
Pse Kina nuk mund ta shpëtojë dot ekonominë e Rusisë nga sanksionet
Demokracia
22:36 | 15 Mars 2022

Share:

Nga Paul Krugman “New York Times”

Me vendimin për të pushtuar Ukrainën, Vladimir Putin vlerësoi gabim gjithçka. Ai kishte një pikëpamje të ekzagjeruar mbi fuqinë ushtarake të kombit të tij. Përshkrimi im javën e kaluar mbi Rusisë si një superfuqi “potemkiniane” (si një tigër prej letre), pra i një shteti që ka shumë më pak forcë nga sa duket, duket tani edhe më i vërtetë.

Ai e nënvlerësoi shumë moralin dhe aftësinë ushtarake të Ukrainës, dhe nuk arriti që të parashikonte vendosmërinë e qeverive demokratike në çdo gjë, që nga armatosja e Ukrainës, dhe deri tek bashkimi i gjithë vendeve perëndimore rreth sanksioneve financiare.

Unë nuk mund të shtoj asgjë në diskutimin mbi vetë luftën, edhe pse kam vënë re se shumë nga komentet që kam lexuar, thonë se forcat ruse po rigrupohen dhe do të rifillojnë përparimet në shkallë të gjerë brenda ditëve të ardhshme.

Por ajo që mendoj se mund të shtoj, është një analizë e efekteve të sanksioneve, dhe në veçanti një përgjigje ndaj një pyetjeje që më bëhet vazhdimisht:A mundet Kina, duke u ofruar si një partnere tregtare alternative, ta shpëtojë ekonominë e Putinit? Jo, nuk mundet.

Le të flasim së pari mbi ndikimin e sanksioneve. Diçka që Perëndimi nuk e ka bërë ende është përpjekja për të bllokuar shitjet e naftës dhe gazit rus, që janë edhe eksportet kryesore të këtij vendi. Shtetet e Bashkuara mundet edhe të ndalojnë importet e naftës ruse.

Por ky do të ishte një gjest simbolik. Pasi nafta tregtohet në një treg global, ndaj kjo masë vetëm sa do ta riorganizonte paksa tregtinë, dhe në çdo rast importet e SHBA-së nga Rusia përbëjnë vetëm rreth 5 për qind të prodhimit rus.

Megjithatë, Perëndimi e ka ndërprerë në një masë të madhe qasjen e Rusisë në sistemin bankar botëror, gjë që përbën një masë shumë të rëndë. Eksportuesit rusë mund të jenë në gjendje t’i shesin produktet e tyre jashtë vendit, por tani për ta është më e vështirë se si të paguhen.

Ndoshta edhe më e rëndësishmja: Rusia e ka të vështirësisë se si të kryejë pagesat për importet e saj. Kjo pasi sot nuk mund të kryhen tregtia me çantat plot me kartëmonedha 100 dollarëshe. Në fakt, edhe tregtia ruse që mbetet ende ligjërisht e lejuar duket se po bie, pasi kompanitë perëndimore që kanë frikë nga kufizimet e mëtejshme dhe nga ndonjë reagim politik, janë të përfshira në një “vetë-sanksionim”.

Sa rëndësi ka kjo gjë? Elita ruse mund të jetojë pa çantat e firmës Prada, por produktet farmaceutike perëndimore janë një çështje tjetër. Në çdo rast, mallrat e konsumit përbëjnë vetëm 1/3 e importeve të Rusisë. Pjesa tjetër janë mallra kapitale, mallra të ndërmjetme – domethënë lëndë që përdoren në prodhimin e mallrave të tjera – dhe lëndë të para.

Këto janë gjëra që i duhen Rusisë për të mbajtur në këmbë ekonominë e saj, dhe mungesa e tyre mund të sjellë bllokimin e sektorëve të rëndësishëm. Për shembull, ka tashmë sugjerime se ndërprerja e pjesëve rezervë dhe shërbimi mund të gjymtojë me shpejtësi aviacionin e brendshëm të Rusisë, një problem i madh në një vend kaq të madh.

Por a mund t’i sigurojë Kina Putinit shpëtimin e ekonomisë ruse? Unë do të thosha që jo, dhe për 4 arsye.

Së pari, pavarësisht se është një fuqi ekonomike, Kina nuk është në gjendje ta furnizojë Rusinë me disa gjëra që i duhen, siç janë pjesë e këmbimit mbi avionët e prodhimit perëndimor, dhe çipat gjysmëpërçues të cilësisë së lartë.

Së dyti, ndërsa vetë Kina nuk po i bashkohet sanksioneve, ajo është thellësisht e integruar në ekonominë botërore. Kjo do të thotë se bankat kineze dhe bizneset e tjera, si korporatat perëndimore, mund të angazhohen në vetë-sanksionim, pra do të ngurrojnë të bëjnë biznes me Rusinë nga frika e një reagimi të ashpër nga konsumatorët dhe rregullatorët në tregje më të rëndësishme.

Së treti, Kina dhe Rusia janë shumë larg në aspektin gjeografikisht. Është e vërtetë që këto 2 vende ndajnë një kufi të përbashkët. Por pjesa më e madhe e ekonomisë ruse është në perëndim të Uraleve, ndërsa pjesa më e madhe e Kinës është afër bregut të saj lindor.

Pekini ndodhet 5632 km larg nga Moska, dhe e vetmja mënyrë praktike për të lëvizur mallrat nëpër atë hapësirë ​​të madhe, është nëpërmjet disa linjave hekurudhore që tashmë janë të mbingarkuara.

Së fundi, një element që nuk mendoj se merret mjaftueshëm parasysh, është ndryshimi ekstrem sa i përket fuqinë ekonomike midis Rusisë dhe Kinës. Disa politikanë po paralajmërojnë për krijimin e një “aksi të autokracive”, që të kujton Aksin e Luftës së Dytë Botërore midis Gjermanisë, Italisë dhe Japonisë.

Dhe duke pasur parasysh mizoritë që po ndodhin në Ukrainë, ky nuk është një krahasim i çuditshëm. Por partnerët në çdo aks të tillë do të ishin shumë të pabarabartë. Putini mund të ëndërrojë të rivendosë madhështinë e epokës sovjetike, por ekonomia e Kinës, që 30 vite më parë ishte gati e njëjtë me atë të Rusisë, është sot 10 herë më e madhe.

Sa për krahasim, Prodhimi i Brendshëm Bruto i Gjermanisë ishte vetëm 2.5 herë më i madh se ai i Italisë kur u formua dikur Aksi. Pra, në rast se përpiqeni të imagjinoni krijimin e një aleance neofashiste – e përsëris, kjo nuk tingëllon më si një gjuhë ekzagjeruar – kjo do të ishte një aleancë në të cilën Rusia do të ishte partnerja e vogël, madje në fakt një shtet klient i Kinës.

Me sa duket kjo nuk është ajo ka në mendje Putini me ëndrrat e tij perandorake. Për këtë arsye, Kina nuk mund ta izolojë Rusinë nga pasojat e rënda të pushtimit të Ukrainës. Është e vërtetë që presioni ekonomik mbi Rusinë do të ishte edhe më i madh, nëse Kina do t’i bashkohej botës demokratike në ndëshkimin e agresionit ndaj Ukrainës.

Por ky presion duket shumë i fortë dhe me pasoja, edhe pa pjesëmarrjen e Pekinit. Rusia do të paguajë një çmim shumë të lartë, në para dhe gjak, për megalomaninë e Vladimir Putinit.

Të ngjashme
OpEd • 27 Mars 2024