Lajme
Pse këtë herë ngerçi institucional mund të na kushtojë më shumë se çdo herë tjetër?
Demokracia
20:35 | 18 Maj 2025

Share:

Kriza institucionale që po përjeton Kosova sot nuk paraqet ndonjë precedent të panjohur për ne; përkundrazi, shohim vetëm një përsëritje të sitautave të ngjashme të së kaluarës. Si e tillë, nuk zgjon aq shumë alarm, apo habi. Por, ndryshe nga rastet e kaluara, ngërçi aktual ka potencialin të kthehet në një krizë me pasoja serioze në fushën e ekonomisë, në një periudhë kur pasiguritë rajonale dhe ndërkombëtare po shtohen me një intensitet të frikshëm.

Vetë Banka Botërore, në raportin e saj më të fundit “Përshtatja për Rritjen e Qëndrueshme”, paralajmëroi se parashikimi ekonomik për Kosovën mbetet “i ekspozuar ndaj një niveli të lartë të pasigurisë dhe rreziqeve të konsiderueshme.”

Kosova si ekonomi pa mburojë – një shtet i euroizuar që edhe në kushtet e një qeverise të qendrueshme me 50 për qind të votave, nuk arriti t’i menaxhoj tronditjet inflacioniste të viteve të fundit. “Pavarësisht niveleve të larta të shpenzimeve për mbrojtje sociale, skema e ndihmës sociale mbetet jofleksibile dhe e paaftë për të ofruar një mbrojtje të gjithanshme.” – thuhej në raportin e Bankës Botërore të vjeshtës 2022, kur Kosova po përballej me një valë inflacioniste të paprecedentë në dekada.

Në kontekstin aktual, përveç sfidave të jashtme, Kosova po përjeton edhe presione të brendshme inflacioniste, sipas ekonomistëve. Në rrethana të tilla, e kombinuar me vonesat në formimin e institucioneve dhe rritjes potencial të pasigurive globale mund t’i ul projeksionet e rritjes ekonomike nga institucionet ndërkombëtare për vitet e ardhshme. Kjo pastaj do të bëhet hera e dytë që deputeti i VV-së, Hekuran Murati, të mburrej kot me projeksionet e rritjes.

“Në rast të një ngadalësimi të mëtejshëm të aktivitetit ekonomik në Bashkimin Evropian, si dhe përballë pasigurive në rritje në tregtinë ndërkombëtare, ekziston potenciali për ndikime të ndjeshme negative në rritjen ekonomike – përmes reduktimit të kërkesës për eksportet e mallrave dhe shërbimeve, si edhe përmes rënies së flukseve të investimeve të huaja. Brenda vendit, zvarritjet në krijimin e një qeverie të re rrezikojnë të ngadalësojnë investimet dhe zbatimin e agjendës së reformave strukturore.” – thuhet në raportin e Bankës Botërore.

Edhe pas këtij paralajmërimi, që daton rreth dy javë më parë, institucionet shtetërore të Kosovës mbeten të paralizuara për shkak të këmbënguljes së partisë fituese, Lëvizja Vetëvendosje, për ta rikandiduar pa kufi Albulena Haxhiun për postin e kryetares së Kuvendit – pavarësisht mungesës së mbështetjes nga 61 deputetët e nevojshëm për ta siguruar këtë pozitë.

Kosova vazhdon të renditet në fund të listës në Evropë për sa i përket të ardhurave për frymë, ndërkohë që institucionet ndërkombëtare si Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar në mënyrë të përsëritur kanë theksuar domosdoshmërinë e ndërmarrjes së politikave të qëndrueshme për të nxitur zhvillimin ekonomik, përmirësimin e kapitalit njerëzor dhe avancimin e reformave strukturore.

“Për të arritur më shpejt nivelet e të ardhurave për frymë të Bashkimit Evropian, kërkohet një përshpejtim i investimeve në kapitalin njerëzor dhe infrastrukturë, si edhe zbatimi i palëkundur i reformave strukturore.” – thuhet më tej në raportin e vitit 2025.

Raporti gjithashtu nënvizon se përparimi i mëtejshëm në uljen e varfërisë do të varet nga aftësia e vendit për të ruajtur norma të larta të rritjes ekonomike në të ardhmen. Megjithatë, situata aktuale nuk paraqet një perspektivë inkurajuese, përkundrazi, ajo sinjalizon një risk real për thellimin e krizës ekonomike për shkak të inflacionit në rritje dhe thellimit të deficitit tregtar.

Sipas të dhënave më të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është rritur me 3 për qind në prill 2025 krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, ndërsa brenda vetëm një muaji (mars-prill), çmimet kanë shënuar rritje prej 0.2 për qind.

Të ngjashme