Arte
Pse Instagram kërkon falje që bllokoi posterin e filmit ku luan Penélope Cruz?
Demokracia
22:02 | 11 Gusht 2021

Share:

Instagram kërkoi falje për faktin që hoqi posterin zyrtar të filmit “Madres Paralelas”, me regjisor Pedro Almodóvar dhe protagoniste Penélope Cruz.

Në poster shfaqet një thitha e një gruaje, gjë që u bë shkak për fshirjen nga platforma “për thyerje të rregullave kundër lakuriqësisë”.

“Ne bëjmë përjashtime për të lejuar lakuriqësinë në rrethana të caktuara, që përfshin kur ka një kontekst të qartë artistik. Prandaj ne kemi rikthyer postimet me posterin e filmit të Almodóvar në Instagram dhe na vjen vërtet keq për çdo konfuzion të shkaktuar,” tha Facebook, kompania që zotëron Instagramin, në një deklaratë për Associated Press (AP).

Rregullat e Facebook dhe Instagram – dhe bllokimet e mëparshme – kanë nxitur përdorimin e hashtagut #FreetheNipple në Instagram, i cili përdoret nga shumë artistë dhe të famshëm. Rregullat për bllokimin e fotove ku duken thithat nuk zbatohen në rastin e fotove të burrave.

Dizajneri i posterit, Javier Jaén, tha për AP se ai e kishte menduar që ndoshta posteri do të kishte probleme në rrjetet sociale, por i qëndroi besnik vizionit të tij pasi mori mbështetjen personale të Almodóvar.

“Ky është ndoshta imazhi i parë që pashë kur linda. Një kompani si Instagrami më thotë se puna ime është e rrezikshme, që njerëzit nuk duhet ta shohin, se është pornografike. Sa njerëz po thonë se trupi i tyre është i keq, se trupi i tyre është i rrezikshëm?” tha ai.

“Ata thonë se teknologjia e tyre nuk mund të dallojë kontekstin. Nuk me intereson. Ndryshoni teknologjinë atëherë,” shtoi dizajneri.

“Madres Paralelas” do të hapë Festivalin e Filmit në Venecia më 1 shtator. Filmi përshkruan lidhjen e fortë të një gruaje të lumtur në moshë të mesme dhe një adoleshenteje të frikësuar, të cilat takohen në dhomën e spitalit ku të dyja do të lindin.

https://www.instagram.com/p/CSWciErMQVu/

Të ngjashme