Nagip Krasniqi, ish-Kryeshef i KEK-ut tashmë është ngarkuar me dy aktakuza nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës. Njëra aktakuzë rëndon mbi 3 milionë euro, e tjetra rreth 37 milionë. Në total Krasniqi me të dyshuarit e tjerë, dyshohen se i kanë shkaktuar dëm buxhetit rreth 40 milionë euro.
Detajet e dy aktakuzave
Prokuroria Speciale ka ngritur këtë të hënë aktakuzë për dallaveret në Korporatën Energjetike të Kosovës. Aktakuza është dorëzuar ndaj ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi.
Lajmi është bërë i ditur me një komunikatë për media.
“Prishtinë, 30 dhjetor 2024 –Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, në rastin e njohur “KEK” kundër të pandehurve N.K.,Y.D.,I.Z”, thuhet në njoftim.
Dëmi i buxhetit të Kosovës, sipas Prokurorisë, është rreth 37 milionë euro.
“Të pandehurit akuzohen se gjatë periudhës kohore 2021 – 2023, me veprimet e tyre të kundërligjshme i kanë shkaktuar dëme buxhetit të Kosovës, rreth 37 milion Euro duke kryer veprat penale: Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar, Zbulimi i fshehtësisë zyrtare dhe Ndihmë në Keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar. Ky rast tashmë i ka kaluar në kompetencë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, për procedurë të mëtutjeshme”, thuhet në njoftim.
Për këtë rast ishte intervistuar edhe Dejona Mihali e Artane Rizvanolli.
Aktakuza e parë
Krasniqi, po akuzohet për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, raporto “Betimi për Drejtësi”.
Sipas aktakuzës së parë, e të cilën e kishte siguruar “Betimi për Drejtësi”, Krasniqi në cilësinë e kryeshefit të KEK-ut, duke filluar nga 15 tetori 2021 e në vazhdimësi me qëllim që operatorit ekonomik “Holding Slovenske Elektrane” SE nga Sllovenia t’ia mundësojë tregtimin e energjisë elektrike në Republikën e Kosovës në kundërshtim me Ligjin për Energjinë Elektrike dhe Ligjit për Rregullatorin e Energjisë me dashje aprovon blerjet, nënshkruan kontrata dhe autorizon nënshkrimin e tyre si dhe konfirmon vazhdimin e tregtimit me operatorin në fjalë, ani pse ishte në dijeni se nuk mund të tregtohej energji elektrike me këtë operator derisa ai nuk licencohej apo nuk i njihej licenca nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE).
Në aktakuzë thuhet se, operatorit i mundësohet përfitimi pasuror si dhe shmangia nga pagesat tatimore në Republikën e Kosovës dhe për pasojë dëmtimin në shkallë të madhe të buxhetit të Kosovës apo në vlerë prej 531.920.79 euro. Gjithashtu, thuhet se kjo kishte dëmtuar dhe diskriminuar operatorët tjerë ekonomikë konkurrentë që operonin në tregun e Kosovës që ishin të licencuar dhe i nënshtroheshin obligimeve tatimore.
Ndërsa, dëmi material ndaj KEK-ut, thuhet se është në shkallë të madhe, përkatësisht 3.229.905.00 euro.
Nga provat e prokurorisë, tregohet se ZRrE, KEK-ut i kishte shqiptuar dënim për shkak të shkeljeve të konstatuara në blerje të energjisë. Raporti i Zyrës së Regullatorit kishte gjetur se bazuar në legjislacionin e vendit, aktivitetet e tregtisë së energjisë mund të ushtrohen vetëm me licencë të lëshuar nga ZRrE, e që janë të regjistruara në Kosovë.
Aty thuhet se aktivitetet pa licenca, mund të lejoheshin vetëm nëse operatorët kanë licencë në vendet e tyre të cilat mund të njihen në Kosovë vetëm pasi të jenë plotësuar kushtet sipas rregullores për Licencimin e Aktiviteteve të Energjisë në Kosovë.
Sipas aktakuzës, ZRrE kishte reaguar disa herë përmes shkresave dhe emailit zyrtar që KEK të veprojë në përputhje me ligjin dhe aktivitetet e tregtimit të energjisë me operatorë të pa licencuar.
Tutje, thuhet se ZRrE më 19.08.2022, kishte monitoruar procesin e tregtimit në kohë reale dhe kishte vërejtur se pavarësisht vërejtjeve dhe kërkesave, KEK kishte vazhduar të veprojë në kundërshtim me ligjin.
Grupi punues i KEK-ut, ishte pajtuar që të respektonin gjetjet e raportit të ZRRE-së. “Pavarësisht bindjeve dhe argumenteve të cekura më lartë, KEK do të respektojë përfundimisht qëndrimet e ZRrE-së, si një institucion i thirrur për rregullim të sektorit të energjisë i emëruar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës sipas legjislacionit në fuqi, i cili i jep ketë kompetencë. Në këtë rast, KEK do të ndërpresë tregtimin energjisë me tregtarë që nuk prezantojnë licencë apo dëshmi nga ZRrE që e dëshmojnë që nuk kanë licencë meqë janë shtjerrë të gjitha mundësitë me komunikimet që kemi pasur me ZRrE”, thuhet në aktakuzë.
Ndryshe, Gazeta Nacionale kishte publikuar biseda ndërmjet Krasniqit e koordinatorës së Lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Mihali, ku kjo e fundit merrej me krejt detajet në KEK, madje duke i konfirmuar edhe komunikatat për media.