Lajme
PSD thirr takim kundër shtrenjtimit të rrymës: AAK do të marrë pjesë, PDK në mëdyshje
Demokracia
21:26 | 10 Shkurt 2022
Ilustrim

Share:

Partia Socialdemokrate (PSD) ka ftuar partitë opozitare, parlamentare e joparlamentare, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe përfaqësues të sindikatave të ndryshme për t’u takuar të premten më 11 shkurt si kundërpërgjigje ndaj tarifave të reja të rrymës të vendosura nga ZRRE-ja.

Në një përgjigje për Demokracia.com, zëdhënësi i AAK-së, Lulzim Blaka ka thënë se kjo parti do të marrë pjesë në këtë takim.

“AAK do të përfaqësohet nga nënkryetari në takimin e thirrur nga PSD, të premten, për të diskutuar rreth shtrenjtimit të energjisë elektrike”, tha Blaka.

Ndërsa zëdhënësi i Partisë Demokratike e Kosovës (PDK), Faton Abdullahu në një përgjigje për Demokracia.com nuk tregoi nëse kjo parti do të marrë pjesë në këtë takim.

“Partia Demokratike e Kosovës e ka ngritur çështjen e krizës energjetike dhe rritjes së çmimit të energjisë që nga shtatori i vitit të kaluar dhe nuk e kemi bërë këtë për protagonizëm politik, por si obligim qytetar për të trajtuar një çështje që e rëndon mirëqenien e çdo familjeje kosovare. Na vjen mirë që për këtë temë kemi arritur që të kemi koordinim dhe harmonizim të opozitës në Kuvendin e Kosovës, gjë që po vazhdon edhe tash, si me ftesën e seancës së ardhshme të jashtëzakonshme. Ne, si PDK po diskutojmë edhe veprime të tjera jashtë Kuvendit për të kundërshtuar vendimin skandaloz të ZRRE-së dhe të Qeverisë Kurti dhe shpresojmë se ato do të mbështeten nga të gjitha subjektet dhe organizatat që janë në linjë të njëjtë me këtë kundërshtim”, tha Abdullahu.

Ai tha më tej se është obligim i tyre që përmes, siç tha Abdullahu, veprimeve të ndikojnë në anulimin e vendimit për rritje të çmimit të energjisë.

“Ne e ruajmë vlerësimin parimor edhe për partitë jashtë-parlamentare, por besojmë se veprimet tona janë ato që duhen ndjekur. Andaj, ne jemi të bindur se obligimi ynë është që përmes veprimeve tona të ndikojmë në anulimin e vendimit për rritje të çmimit të energjisë, përtej tendencave për protagonizma personal”, tha ai për Demokracia.com.

Kujtojmë se kryetari i PSD-së Dardan Molliqaj përmes një postimi në “Facebook”, tha se në takim do të vendoset për hapat dhe mënyrën e kundërshtimit.

“Rendi i ditës: Diskutimi i formave të kundërshtimit të vendimit të ZRRE për rritjen e çmimit. Të shqetësuar me vendimin e ZRRE-së ku çmimi i energjisë elektrike rritet për 100%. Pas disa javësh kundërshtimesh të propozimit të parë, aksione simbolike, konferenca e protestë të fuqishme, qeveria nuk reflektoi.

Vendimi i ri është pothuajse i njëjtë me të vjetrin. Përsëri nuk preken bizneset, dhe përsëri buxheti i republikës dëmtohet me 100 milionë euro dhe po ashtu për një pjesë të madhe të qytetarëve rritet fatura në fund të muajit. Në këtë krizë energjetike, të gjithë po humbim, vetëm KEDS dhe KESCO po vazhdon fitimin. Rritja e energjisë e papranueshme. Kundërpërgjigja opozitare e domosdoshme”, ka shkruar Molliqaj.

Takimi do të mbahet më 11 shkurt, duke filluar nga ora 13:00. /Demokracia.com/

Të ngjashme