Lajme
PSD ia var Liburn Aliut letrën e dorëheqjes në objektin e Qeverisë
Demokracia
14:41 | 25 Mars 2021

Share:

Aktivistë të Partisë Socialdemokrate (PSD) kanë vendosur disa “letra të doqëheqjes” në objektin e Qeverisë së Kosovës.

Ky aksion të cilin gjatë së enjtes e kanë zhvilluar aktivistët e PSD-së, ka të bëjë me ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, i cili ka aktakuzë aktive, të ngritur nga Prokuroria Themelore e Prishtinës, shkruan Demokracia.com.

Përmes një aksioni të PSD-së në objektin e Qeverisë së Kosovës, aktivistët kanë dërguar një dokument që duket si letër e dorëheqjes, me tekst të gatshëm të dorëheqjes dhe me nënshkrimin e ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.

“Qytetarë të dashur, unë, Liburn Aliu, jam i dedikuar në luftimin e korrupsionit dhe keqpërdorimit. Pavarësisht që nuk ndihem në faj për aktakuzën e ngritur ndaj meje, pavarësisht pasojave që mund t’i kem, unë udhëheq me shembullin tim. Prandaj, sot, kam dhënë dorëheqjen nga ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Me respekt, Liburn Aliu”, thuhet në  një nga dy “letrat e dorëheqjes” e ngjitur në ndërtesën e Qeverisë nga aktivistët e PSD-së.

Aktivistët e kësaj partie kanë vendosur mesazh edhe se si do të duket letra e pranimit të dorëheqjes, kur kryeministri Albin Kurti, sipas tyre e liron nga detyre ministrin Aliu.

“Të dashur qytetarë të Republikës, Zyrtarët që kanë keqpërdorur pozita dhe ata që kanë zhvatur vendin duhet të dënohen. Nuk do të kemi në qeveri ministra me aktakuza. Do të jemi të pa kompromis ndaj kujtdo, në luftimin e korrupsionit, duke vendosur një etikë të re të punës. Liburn Aliu është shembull për llogaridhënie dhe unë si Kryeministër i Republikës së Kosovës, e pranoj këtë dorëheqje. Sinqerisht, Albin Kurti”, shkruan tutje në letrën e PSD-së.

Kujtojmë se kryeministri Kurti gjatë së mërkurës, ka refuzuar të komentojë aktakuzën e cila është ngritur kundër ministrit Aliu./Demokracia.com/

 

Të ngjashme