Partia Socialdemokrate ka reaguar pas arrestimeve të aktivistëve të saj nga Policia e Kosovës, gjatë një proteste në zyrat e ZRrE-së.
PSD e ka quajtur antidemokratik arrestimin e aktivistëve të saj.
Përmes një njoftimi PSD thotë se protesta e tyre kishte vetëm një qëllim, që sipas tyre, vendimi përmes së cilit është bërë rritja e faturave të energjisë elektrike të bëhej publik.
Njoftimi i plotë:
ARRESTIMI I AKTIVISTËVE TË PSD-SË ËSHTË VEPRIM ANTIDEMOKRATIK
Protesta e jonë sot pranë zyrave të ZrrE-së kishte vetëm një qëllim – që vendimi përmes së cilit është bërë rritja enorme e faturave të energjisë elektrike të bëhej publik. Përderisa çmimin e lartë e të papërballueshëm për shumicën e qytetarëve të Kosovës na e kanë treguar menjëherë, shumë prej çështjeve dhe rrethanave që lidhen me këtë vendim qëndrojnë të panjohura, përfshirë këtu edhe vet vendimin. Protesta jonë e sotme ishte kërkesë për transparencë. Kjo mungesë transparence po minon çdo mundësi që t’i kundërvihemi padrejtësisë sociale të tarifave të reja të energjisë. Për më tepër, mospublikimi i këtij vendimi bie ndesh edhe me legjislacionin në fuqi.
PSD kërkon lirimin e menjëhershëm të aktivistëve të saj, përfshirë edhe Kryetarin e saj, z. Dardan Molliqaj. Arrestimi i tyre përbën një veprim që kundërshton të drejtën për të protestuar dhe kërkuar që vendimet që na prekin të gjithëve të mos qëndrojnë të fshehura publiku. Përdorimi i dhunës së shtetit në shërbim të fshehjes së dokumenteve publike është një tregues i natyrës së pushtetit që sot është vendosur në vend.
Kjo çështje na prek të gjithëve e sidomos ata që kanë pak. Andaj edhe kundërshtimi është i drejtë. /Demokracia.com/