Provimi Shtetëror i Maturës këtë vit do të organizohet më 21 qershor, ndërsa këtij testimi do t’i nënshtrohen rreth 20 mijë maturantë. Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit, thanë për Radio Kosovën se forma e testit është e njëjtë si vitin e kaluar, ndërsa do të ketë masa për ata që shkelin rregullat. E njohës të çështjeve të arsimit, thonë se testi i maturës duhet të përshtatet më shumë me testin PISA.
Erda Xhoni, Anita Qajani dhe Altin Curri, janë tre maturantë të gjimnazit “Dardania” në Han të Elezit, të cilët po përgatiten t’i nënshtrohen Provimit Shtetëror të Maturës. Ata shpresojnë se do të arrijnë rezultatet që i synojnë.
“Kemi hapur llogaritë në e-Kosova, pasi prej aty mund të aplikojmë. Ndërkohë, pasi të përfundojë procesi mësimor, kemi vendosur që të bëjmë përgatitjet me profesorët në lëndët që do të testohemi”, tha Erda.
“Na kanë njoftuar për të gjitha rregullat, për ecurinë e testit të maturës, aplikimin, i kemi hapur llogaritë në e-Kosova që të shkojë mirë ky proces”, tha Anita.
“Në lëndët e tjera jam më mirë, por në Matematikë kam pak ngecje. Jam konsultuar me profesorin, ku na ka ndihmuar dhe mësuar për detyrat të cilat mund të jenë në test”, tha Altini.
Erda, Anita dhe Altini janë në mesin e rreth 20 mijë maturantëve, të cilët pritet t’i nënshtrohen Provimit Shtetëror të Maturës, i cili do të mbahet më 21 qershor. Ky numër mund të ndryshojë, pasi për këtë testim do të paraqiten edhe ata të cilët nuk e kanë kaluar testin vitin e kaluar.
Ushtruesi i detyrës së udhëheqësit të Divizionit për Sigurim të Cilësisë Standarde, Vlerësim dhe Licencim në Ministrinë e Arsimit, Fatmir Elezi, bëri të ditur për Radio Kosovën, se janë në përfundim të përgatitjeve për mbarëvajtjen e këtij testimi. Ai dha edhe detaje rreth organizimit, derisa foli edhe për masat ndaj shkelësve të rregullave.
“Procedurat edhe këtë vit janë të njëjta, ku maturantët duhet të kenë të hapur llogarinë në e-Kosova për të bërë paraqitjen e Provimit Shtetëror të Maturës. Maturantët do t’i nënshtrohen testimit në tri fusha kryesore: Gjuhë Amtare, Gjuhë Angleze, Matematikë dhe në lëndën zgjedhore. Ata duhet të shkojnë në ditën e testimit vetëm me një laps dhe dokumentin e identifikimit, ndërsa nuk duhet të tentojnë të kopjojnë. Në sallën e testimin nuk lejohet fare telefoni. Masa kryesore është largimi nga testimi dhe humbja e atij afati. Edhe masat ndaj administratorëve janë të parapara sipas Ligjit të maturës”, tha ai.
Procesi mësimor për maturantët përfundon më 15 maj dhe siç bëri të ditur për Radio Kosovën drejtori i Gjimnazit “Dardania” në Han të Elezit, Ziber Xhoni, ata po punojnë sipas planit dinamik me mësimdhënësit për Testin e Maturës.
“Është bërë një plan dinamik nga mësimdhënësit e fushave përkatëse: Gjuhë Shqipe, Gjuhë Angleze, Matematikë dhe në lëndët zgjedhore. Pra, pas 15 majit do të bëhet mësim shtesë, në mënyrë që nxënësit të përgatitën dhe të jenë të suksesshëm në Testin e Maturës”, tha ai.
Njohësi i çështjeve të arsimit, Xhavit Rexhaj, thotë se Testi i Maturës duhet të përshtatet më shumë me testin PISA, derisa theksoi se disa nga pyetjet e testit nuk përkojnë me natyrën e kurrikulave të kompetencave.
“Duhet të fillohet të zbatohen testet e standardizuara edhe në mënyrën ‘online’, sepse fëmijët tanë kur po hyjnë në PISA nuk po e kuptojnë atë mënyrë të testimit. Bota po shkon nga mënyra ‘online’. Pyetjet nuk po përkojnë me natyrën e kurrikulave të kompetencave, sepse testohet përmbajtja e të mbajturit mend, nuk testohet përgatitja për jetë, nuk testohet zgjidhja e problemeve, nuk testohet përdorimi i dijes për të zgjidhur problemet për tu përgatitur për jetë e për arsim”, tha ai.
Testi i Maturës organizohet vetëm në një ditë, ndërsa do të ketë gjithsej 100 kërkesa, nga 25 për secilën lëndë. Ministria e Arsimit ka theksuar se kriteri i kalueshmërisë do të mbetet i njëjtë, ndërsa rezultatet do të publikohen më 30 qershor. Ata që nuk e kalojnë provimin e maturës në afatin e parë, mund t’i nënshtrohen këtij testimin në afatin e dytë, që do të mbahet më 28 gusht.