Banorët e Rinasit janë ngritur sot në protestë, kundër vendimit të ARRSH, për të devijuar lëvizjen drejt Aeroportit të Rinasit, duke e kthyer me një sens lëvizje. Ata i bëjnë thirrje qeverisë që ta anulojë këtë vendim, pasi i ka penalizuar në veprimtaritë e përditshme.
Banorët theksojnë se për të dërguar fëmijët në shkollë, duhet të bëjnë dy orë rrugë, si dhe e kanë të pamundur aksesimin e varrezave.
“Nëse vdes një person, ne duhet të bëjmë tre orë rrugë për ta dërguar në varreza”, tha një nga banorët, në një prononcim për mediat, shkruan CNA.al.
“Kemi mësuar se rruga e Rinasit do bëhet me një sens, dje e kanë bërë me një sens, pa marrë parasysh familjet në Rinas, na kanë penguar për të çuar fëmijët në shkollë, duhet të bëjmë dy orë rrugë për ti çuar dhe për të marr, nuk shkojmë dot në tokat tona, një orë rreth e rreth për të bërë një vaksinë gjyshes. Këtu kemi rrugën e varrezave, për të çuar një të vdekur në varreza duhet ta bëjmë tre orë rrugën”, tha një tjetër banor.
Ndërkohë banorët kanë pasur edhe përplasje fizike me forcat e policisë, të cilat kanë ndërhyrë për të mos lejuar bllokimin e rrugës.
Gjithashtu protestuesit kanë paralajmëruar edhe bllokimin e rrugës së Aeroportit.