Në fillim të mbledhjes së dy qeverive, kryeministri Rama propozoi që në nëntor të këtij viti të mbahet Kuvendi i Përbashkët mes dy vendeve.
Rama nuk mori një përgjigje të prerë për këtë propozim, pasi Kurti tha që do ta pyes kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufcën, ndërsa tha që e di se kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, është dakord.
I pari i ekzekutivit të Kosovës njoftoi se sot do të takohet me Konjufcën dhe beson që gjithçka do të shkojë në rregull që më 28 nëntor dy qeveritë të jenë bashkë.
“Më 10 qershor të këtij viti kur ishim në Prizren, e diskutuam idenë e një mbledhje të përbashkët në Vlorë, me rastin e kremtimit të 110 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe e di që kryetarja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, zonja Lindita Nikolla, është dakord. Mua më duhet ta pyes tash edhe kryetarin e Kuvendit tim, zotëri Glauk Konjufcën, të cilin nuk e kam takuar ende, sepse ishte në udhëtim jashtë vendit. Do ta takoj sonte dhe besoj që gjithçka do të shkojë në rregull që të jemi bashkë më 28 nëntor”, tha Kurti.
Kujtojmë që kryekuvendari Konjufca ka qenë në një vizitë në Hagë, ku ka takuar ish-krerët e UÇK-së, përfshirë Thaçin e Veselin.