Propozim i pabesueshëm nga Argjentina: të merret zemra e Diego Armando Maradonës në Katar për Kupën e Botës. Zemra e Maradonës është aktualisht në Departamentin e Anatomisë Patologjike të Policisë Shkencore të Buenos Aires.
Megjithatë, një agjenci reklamash, Bombay, me seli në Argjentinë, ka kërkuar ta dërgojë zemrën e Maradonës, i cili u nda nga jeta më 25 nëntor 2020, në Kupën e Botës së këtij viti në Katar.
Synimi është që shpirti i legjendës së Albiceleste të jetë ‘afër’ me kombëtaren e kapitenit Messi. “Zemra e tij është në funksion të Prokurorisë. Kjo është një ide që na ka ardhur dhe duam që të gjithë të fillojnë ta dëgjojnë që ta ndajmë si argjentinas.
Pastaj le të shohim nëse është e mundur të realizohet. Ka shumë problem teknike, ligjore dhe emocionale rreth këtij projekti, por këtë do të kishte dashur vetë Diego”, – tha Javier Mentasti, promotori i fushatës.
Zemra e Maradonës do ta shoqëronte kombëtaren e Argjentinës në udhëtimin drejt dhe gjatë “Katarit 2022”, si një bekim për Lionel Messin me shokë. /Demokracia.com