Lajme
Propozimi i LDK-së për qeveri tranzicioni: VV-ja e refuzon, AAK-ja e mirëpret, PDK-ja ende pa qëndrim zyrtar
Demokracia
12:31 | 07 Maj 2025

Share:

Propozimi i kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, për qeveria nacionale tranzitore ka nxitur reagime të shumta në vend. Ky propozim si rrugëdalje nga ngërçi aktual politik është komentuar në mënyra të ndryshme nga subjektet politike.

VV-ja e ka refuzuar një propozim të tillë, duke thënë se ai nuk është alternativë e duhur.

Deputeti i VV-së, Hekuran Murati, ka thënë se propozimi është në kundërshtim më atë çka ka thënë më herët Lumir Abdixhiku.

“Dikush si Lumir Abdixhiku që në vazhdimësi ka thënë se nuk është i interesuar për një zgjidhje afatshkurt, por për një qeveri stabile që e çon mandatin deri në fund ishte pikërisht ai që e refuzoi këtë ftesë për një qeveri afatgjate dhe propozoi një qeveri tranzicionale. Kjo është kundërthënie dhe normalisht që nuk është serioze”, ka thënë Murati, pas ndërprerjes së seancës se sotme.

Kryetari PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se kjo parti ende nuk ka marrë një qëndrim ndaj kësaj çështje.

Ai ka bërë me dije se propozimi në fjalë sot do të diskutohet në mbledhjen e Kryesisë së PDK-së.

“Ju e dini që s’i kam ikë asnjë takimi. Unë e kam takuar edhe Albin Kurtin. Normalisht që kolegët e ish-opozitës i takoj edhe më lehtë dhe edhe më me dëshirë”, ka thënë Krasniqi.

Kurse, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka mirëpritur këtë propozim.

Ai është treguar i gatshëm të diskutojë për këtë ide. Megjithatë, ai ka thënë se e mbështet një qeveria të opozitës.

“Unë mirëpres mundësinë e konsultave, cila formulë, cili opsion. Tani qëndrimet ndryshojmë. Ju e dini, unë angazhohem për qeveri të opozitës dhe vazhdojë me mbet në këtë qëndrim. Pra për qeveria të opozitës. Ndërsa jam i hapur për konsulta në këtë rast me LDK-në, me PDK-në dhe me partitë parlamentare të opozitës ”, ka thënë Haradinaj.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiki, dje i është përgjigjur letrën se Albin Kurtit për bashkëpunim.

Në letrën e tij, Abdixhiku ka refuzuar një koalicion vetëm me VV-në.

Si rrugë për të dalë nga ngërçi aktual, ai ka propozuar një qeveri të tranzicionit, e cila do të përbehet nga të gjitha partitë politike.

“Sot vendi është në krizë të thellë – në krizë të thellë institucionale, kryesisht për shkak të dështimit të partisë së parë të krijojë partneritete politike për krijimin e një shumice. Dhe zgjidhjen nga kjo bllokadë, LDK-ja e konsideron të domosdoshme, të rëndësisë nacionale për Republikën e Kosovës. Në përputhje me këtë, LDK-ja dhe unë si kryetar i saj, propozojmë nisjen e një procesi të ri politik, dhe kjo zgjidhje kërkon edhe përgjegjshmëri, edhe unitet, dhe mbi të gjitha kërkon vetëdije të lartë politike në vend. Në përputhshmëri me këtë, LDK-ja propozon nisjen e këtij procesi, fillimisht konsultativ, me të gjitha partitë politike shqiptare, me qëllim formimin e Qeverisë Nacionale të Tranzicionit. Pra, LDK-ja kërkon unitet gjithëshqiptar në këtë periudhë dhe formimin e Qeverisë Nacionale të Tranzicionit – një qeveri me afat të caktuar deri në zgjedhjen e Presidentit të ri. Program, agjendë të qartë shtetërore, të politikës së jashtme dhe të brendshme”, ka thënë Abdixhiku, në një konferencë për media.

Të ngjashme