Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shpërndarë sot raportin e Bankës Botërore, në të cilin tregohet për progresin ekonomik dhe shkallën e varfërisë. Por, me këtë raport, Kurti është përpjekur ta manipulojë publikun, duke propaganduar në të mirë të qeverisjes së tij, përkundër që raporti flet për 10 vitet e fundit.
Në një postim në Twitter ku po shpërndante një raport të Bankës Botërore për Kosovën, Kurti i dha një “përdredhje” tekstit brenda raportit.
“Krahasuar me para 10 vite Kosova ka rritur për 50 për qind të ardhurat dhe ka zvogëluar me 35 përqind shkallën e varfërisë”, shkroi Kurti në Twitter, shkruan Demokracia.com.
Menjëherë as këtij postimi kanë reaguar partitë opozitare, të cilët e quajtën Kurtin mashtrues.
Ish-kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, e ka akuzuar për propagandë Kurtin dhe keq-citim të raportit.
“Banka Botërore po thotë se: “Kosova ka përjetuar progres të qëndrueshëm ekonomik gjatë dekadës së fundit, me një rritje prej afro 50 përqind të të ardhurave për kokë banori dhe një ulje prej 35 përqind të shkallës së varfërisë”. Këtë të vërtetë tani po e pranojnë majtistët në pushtet. Pra, pavarësisht sfidave, Kosova qenka zhvilluar nga “regjimet e kaluara” e jo varfëruar, siç bëjnë propagandë mashtruesit”, deklaroi ndër të tjera Hoti.
Pas Hotit,reagoi edhe nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku.
Sipas Çitakut Kurti po mundohet të krijoj një “botë paralele”, ku pretendon se qytetarët jetojnë më mirë tash me Qeverinë Kurti.
“A jeton më mirë një qytetar i Kosovës sot se më parë? A e përballon çmimin e rritur të energjisë elektrike? A arrinë me pagën e njejtë e pa rritje ta përballojë inflacionin? Ndoshta në universin paralel të Kurtit po. Por në botën reale jo. Leni mashtrimet”, shkroi Çitaku.
Ndërsa, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, një gjë të tillë e cilësoi si propagandë, duke vlerësuar negative raportet për qeverisjen aktuale.
“Se sa zhvillim po bën qeveria mjafton të shihni raportet e vetë Qeverisë. Raporti financiar i tremujorit të parë të këtij viti thotë se qeveria ka shpenzuar mbi 207 milionë euro për subvencione dhe vetëm 40 milionë euro për investime kapitale”, tha Bajrami.
Në një postim në rrjetin social “Twitter”, Kurti ka përmendur edhe rritjen e të ardhurave për kokë banori, që sipas Bankës Botërore, janë rritur përgjysmë më shumë.
Sipas këtij raporti të Bankës Botërore, Kosova ka pasur zhvillim ekonomik në 10 vitet e fundit.
Duke treguar kështu që rritja ekonomike nuk ka ndodhur gjatë qeverisjes së Kurtit.
“Lavdërime të mëdha për Kosovën nga Banka Botërore këtë javë. Sipas këtij institucioni, krahasuar me 10 vjet më parë Kosova ka rritur të ardhurat për kokë banori për 50% dhe ka ulur shkallën e varfërisë për 35%, “duke tejkaluar vendet me të ardhura të ngjashme për kokë banori””, ka shkruar Kurti. /Demokracia.com/