Kompanitë e kontraktuara nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) e Kosovës për lobim në SHBA – Afërdita Rakipi Communications dhe Ambal – nuk kanë pasur asnjë marrëveshje lobimi të regjistruar më parë në ueb-faqen e Aktit të Regjistrimit të Agjentëve të Huaj (FARA) të Departamentit amerikan të Drejtësisë.
Në deklarimet e tyre, pronarët e dy kompanive, Afërdita Rakipi dhe Avni Mustafaj, thonë se janë të angazhuar me orar të pjesshëm në detyrën e tyre për “avancimin e marrëdhënieve dypalëshe mes SHBA-së dhe Qeverisë së Kosovës”.
Bazuar në kontratat e nënshkruara më 26 qershor dhe të vlefshme për një vit, Rakipi dhe Mustafaj do të paguhen nga 147 mijë euro nga MPJD-ja për aktivitetet e tyre.
Kush janë Afërdita Rakipi dhe Avni Mustafaj?
Kërkimi i emrave të tyre në rrjete sociale dhe ueb-faqe të tjera tregon se të dy kanë qenë veprimtarë për çështjet e komunitetit shqiptaro-amerikan në SHBA dhe për Kosovën, para dhe gjatë luftës së vitit 1999.
Rakipi, e lindur në Miçigen të SHBA-së, e ka njohur ministren e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, edhe para kontraktimit për lobim. Nëntë vjet më parë, Gërvalla e ka etiketuar atë në një sfidë leximi përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook.
Në llogarinë e saj në Twitter, Rakipi nuk ka bërë ndonjë postim origjinal prej se presidenti amerikan, Joe Biden, ka marrë detyrën në fillim të vitit 2021. Por, që atëherë, Rakipi i ka shpërndarë disa postime të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Ajo, gjithashtu, ka shpërndarë postime ku kritikohet qëndrimi i SHBA-së lidhur me tensionet e fundit në veri të Kosovës, shkruan REL.
“Shtetet e Bashkuara po gërmojnë kundër marrjes së zyrave të tyre nga kryetarët e zgjedhur në mënyrë demokratike. Ndoshta mund të kishte ndodhur ndryshe, por që kur ne e ndëshkojmë një vend për demokracinë e vet? Diçka seriozisht nuk po shkon me politikën amerikane”, thuhet në një postim të rishpërndarë nga Rakipi.
Disa nga postimet e Kurtit që Rakipi i ka shpërndarë:
Marrëveshja për lobim është nënshkruar rreth një muaj pas ngritjes së tensioneve në veri të Kosovës. Në atë zonë – të banuar me shumicë serbe – banorë lokalë serbë protestojnë nga fundi i majit kundër kryetarëve shqiptarë të komunave.
Hyrja e tyre në objektet komunale në veri është asistuar nga Policia e Kosovës dhe ky veprim është kritikuar nga përfaqësues të SHBA-së, por edhe të Bashkimit Evropian.
Zyrtarët e SHBA-së i kanë kërkuar Qeverisë së Kosovës që t’i ulë tensionet në veri të vendit dhe kanë ndërmarrë masa ndëshkuese kundër saj, përfshirë përjashtimin nga një stërvitje e madhe ushtarake. Ngjashëm ka vepruar edhe BE-ja.
Aktualisht, në llogarinë e tij në Twitter, edhe Mustafaj shfaqet kritik ndaj Bashkimit Evropian për qëndrimin e mbajtur ndaj Qeverisë së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Duke reaguar ndaj një postimi të Departamentit amerikan të Shtetit për ish-sekretaren e Shtetit, Madeleine Albright, Mustafaj shprehet kritik edhe ndaj SHBA-së.
“Amerikës, në të vërtetë botës, i mungon mençuria dhe guximi i Madeline Albrightit për ta bërë atë që është e drejtë. Më duhet të besoj se ajo do të ishte tmerrësisht e zhgënjyer që SHBA-ja nuk po qëndron fort prapa Kosovës në vend që ta qetësojë [presidentin e Serbisë, Aleksandar] Vuçiq – një diktator. Populli i Kosovës meriton më mirë”, shkroi ai në Twitter.