Lajme
Promovimi i librit për Hashim Thaçin, PDK nuk kishte pranuar ftesë nga shtëpia botuese
Demokracia
19:26 | 23 Janar 2024

Share:

Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar pas raportimeve se asnjë zyrtar i kësaj partie nuk ka marrë pjesë në propmivimin e librit “Shtet i ri, burrë shteti modern”, i autorëve Roger Boyes dhe Suzy Jagger, që për krypersonazh ka ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. 

Nënkryetarja e kësaj partie, Vlora Çitaku nëpërmjet një reagimi në Facebook, ka bërë të ditur se në këtë promovim nuk ka qenë i ftuar askush nga PDK, shkruan Demokracia.com.

“Sot, përmes mediave jemi njoftuar se para ca ditësh, në Tiranë, është promovuar libri që ka për kryepersonazh presidentin Hashim Thaçi, “Shtet i ri, burrë shteti modern”, i autorëve Roger Boyes dhe Suzy Jagger. Padyshim, ky lajm na gëzon të gjithëve, posaçërisht ne si zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës. Megjithatë, për hirë të sqarimit të opinionit, mungesa e pjesëmarrjes së zyrtarëve tanë në këtë aktivitet të vlefshëm, përtej çdo aludimi tjetër, ka të bëjë vetëm me një fakt shumë më të thjesht: As Kryetari, as Kryesia, as deputetët e Grupit Parlamentar, nuk kanë marrë ftesë apo njoftim për të qenë prezentë në këtë ngjarje. Madje as familjarë apo miq të afërm.”, ka shkruar Çitaku.

Ajo thotë se ky mund të ketë qenë një lëshim i paqëllimshëm nga ana e shtëpisë botuese.

“Ne, para se gjithash, besojmë se ka qenë një lëshim i paqëllimshëm i shtëpisë botuese “Fan Noli” dhe Qendrës për Hapje dhe Dialog COD në Shqipëri, si organizatorë të promovimit të librit në Tiranë. Përndryshe, një ftesë e tillë do të ishte e mirëseardhur dhe gjithsesi se do të haste në një përgjigje pozitive tek secili prej nesh në PDK. Shpresojmë shumë që një ngjarje e ngjashme të organizohet së shpejti edhe nëpër qytete tjera, sepse, ky libër, mbi të gjitha, ka një vlerë të veçantë dhe meriton të shpërndahet dhe diskutohet për të gjithandej trojeve shqiptare.”, ka shtuar ajo.

Ajo thotë se po të dëgjonte për këtë promovim do të shkonte edhe pa pasur ftesë.

“Personalisht, dhe jo vetëm, po ta dinim do të shkonim edhe pa ftesë. Më herët kam pranuar rregullisht njoftime dhe ftesa nga COD. Kësaj radhe jo.
Partia Demokratike e Kosovës ka vlerësuar gjithmonë lart rolin e mediave, kërkesat e të cilëve është munduar gjithmonë t’i trajtoj me përkushtim. I ftojmë të gjithë, edhe një herë, ata që janë të interesuar që të raportojnë për të vërtetën dhe faktet, që të na kontakojnë çdo herë që kanë ndonjë paqartësi ose u duhet ndonjë përgjigje nga ne në raport me ndonjë ngjarje, informatë apo qëndrim. Konkluzionet që nuk përkojnë me të vërtetën, nuk i sherbejnë askujt: as ne, as ju dhe as publikut.”, është shprehur Çitaku.

Të ngjashme