Admir Shala, prokurori i rastit i cili autorizoi hetimet ndaj ministrit në detyrë të Bujqësisë, u bë cak linçimi nga subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje. Ai filloi të akuzohej se ishte ish-sekretar i të rinjve të PDK’së në Prizren.
Gjithsesi, hesapet ishin ndryshe para se Shala të autorizonte hetuesit ta intervistonin Pecin si të dyshuar për hajni, shkruan Insajderi.
Me Shalën përgjatë kohës sa ky i fundit shërbente si kryeprokuror i Prizrenit takohej ministrja e Drejtësisë në detyrë, Albulena Haxhiu.
Në janar të 2024-ës, Ministria e Drejtësisë lëshonte njoftim ku pos tjerash thuhej se në takimin mes Shalës dhe Haxhiut u diskutua për luftimin e kriminalitetit dhe korrupsionit.
“Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi mbi fuqizimin e bashkëpunimit në aspektin e drejtësisë, në drejtim të luftimit të kriminalitetit dhe korrupsionit si dhe është diskutuar për rastet e dhunës në familje dhe Ligjin për parandalimin dhe adresimin e dhunës në familje“, thuhej ndër të tjera në njoftim.
Lista Guxo të martën vonë bëri një reagim publik pas intervistimit të më shumë se katër orëve të kryetarit të saj, si i dyshuar për kontratën e dyshimtë për mbetje shtazore.
Ata pretendonin se prokuroria është futur në “lojëra politike” teksa thonin se prokurori Shala ishte dikur sekretar i të rinjve të PDK’së në Prizren.
“Partia Guxo shpreh shqetësimin e saj të thellë lidhur me veprimet e fundit të Prokurorisë Speciale, e cila dukshëm po jep shenja se është bërë pjesë e lojërave politike duke vënë në shënjestër Ministrin më të suksesshëm të Qeverisë Kurti 2, z. Faton Peci.
E gjithë kjo çështje merr një shije edhe më të hidhur kur kihet parasysh që krejt “rastësisht” prokurori i rastit të sajuar është ish-sekretar i Forumit Rinor të PDK-së në Prizren“, thuhej ndër të tjera në reagim.
Ministrit në detyrë iu ofrua mbështetje e jashtëzakonshme nga akterët në pushtet. Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, njëherësh edhe kryeministër në detyrë, e quajti si të suksesshme dhe të mirë qeverisjen e Pecit në dikasterin e bujqësisë.
“…E kjo padyshim është edhe rezultat i trajtimit me prioritet e seriozitet që i kemi bërë sektorit të bujqësisë dhe qeverisjes së mirë e të suksesshme të ministrit të linjës, Faton Peci“, deklaroi Kurti mbrëmë në një njoftim, ku fliste për panairin “AGROKOS & Agroturizëm 2025”.
Peci u intervistua si i dyshuar për më shumë se katër orë nga hetuesia e posaçme e Policisë së Kosovës lidhur me kontratën e dyshimtë në vlerë prej përreth 60 milionë euro për mbetje shtazore.
Prokuroria Speciale autorizoi bastisje në katër lokacione, ku në mesin e tyre ishte edhe objekti i Ministrisë së Bujqësisë.
Përveç Pecit, u intervistua edhe kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari (AUV), Bekim Hoxha.
Përpos Ministrisë së Bujqësisë, AUV dhe AZHB- bastisjet janë zhvilluar edhe tek lokacioni i kompanisë fituese të tenderit.
Kompania “LIP KS & IT SH.P.K”, aksionar e së cilës është biznesmeni multimilioner nga Ferizaj, Naser Maloku i cili njihet për të kaluar të dyshimtë biznesore.
Maloku, e fitoi në janar të këtij viti tenderin për marrjen në shfrytëzim të fabrikës për përpunimin e mbetjeve të kafshëve, në bashkëpunim me një ortak nga Serbia. Ndaj tij u raportua në media se ishte një proces i dyshim dhe përbente shkelje ligjore.
Një nga bashkë-themeluesit e kësaj kompanie është “MR & MNE” D.O.O., filiali i një kompanie serbe me seli në Podgoricë, Mal i Zi. Pronari i kësaj kompanie është Muamer Ragipoviq, një shtetas serb që udhëheq kompaninë “MR & Co” D.O.O. me seli në Beograd.
Megjithatë, një muaj pas nënshkrimit të kontratës me Ministrinë e Bujqësisë, kompania serbe ka tërhequr aksionet e saj nga “LIP KS & IT”, duke ngritur pyetje mbi natyrën e kësaj marrëdhënieje dhe mundësinë e ndikimeve të huaja në proceset tenderuese në Kosovë. /Insajderi.org/