Lajme
Prokuroria zbuloi dëshmitë në favor të UÇK-së pas katër vjetësh, pasi u detyrua nga mbrojtja e Thaçit
Demokracia
15:31 | 21 Prill 2023

Share:

Në mesin e padrejtësive më të mëdha të Prokurorisë së Gjykatës Speciale kundër udhëqesëve të UÇK-së është fshehja e vetëdijshme e dëshmive dhe fakteve që dëshmojnë pafajësinë e ish-presidentit Hashim Thaçi dhe bashkëluftëtarëve të tij, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Një pjesë të dëshmive që Prokuroria Speciale i ka mbajtur fshehtë janë edhe dëshmia ish-shefit të parë të OSBE-së në Kosovë, Daan Everts, si dhe dokumenti i agjencisë së inteligjencës amerikane, CIA.

Për këto skandale që kanë ndodhur në Gjykatën Speciale kanë shkruar edhe institute hulumtuese ndërkombëtare në fushën e drejtësisë dhe media të ndryshme.

Me rastin e fillimit të gjykimit ndaj ish-liderëve të UÇK-së, Instituti Robert Lansing ka shkruar se dëshmia e ambasadorit holandez Daan Everts është mbajtur fshehtë nga viti 2018 dhe të njëjtën Prokuroria e udhëhequr nga Jack Smith e ka zbuluar vetëm kur ishte kapur në këtë vepër të paligjshme nga mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi.

Ngjashëm, letra e Departamentit Amerikan të Shtetit e datës 4 maj 1999, ku thuhet se nuk ka pasur asnjë strukturë politike apo komandim dhe kontroll efikas të UÇK-së, nuk është ekspozuar asnjëherë nga Prokuroria, thuhet në raportin e institutit ndërkombëtar.

“Për më tepër, pasi nuk ka strukturë politike në Kosovë apo komandë dhe kontroll efektiv të UÇK-së, do të duheshin shumë muaj, ndoshta edhe vite, për t’i organizuar ato për të përdorur dhe mirëmbajtur çfarëdo ndihme ushtarake që Shtetet e Bashkuara do të ofronin”, thuhej në letrën e CIA për zyrtarë të Qeverisë amerikane rreth çështjes së ndihmës për UÇK-në, me armatim dhe asistenca tjera.

Akuza qendrore e Prokurorisë pretendon se Thaçi dhe krerë të tjerë gjatë luftës kishin kontroll të plotë dhe të mirëfilltë mbi të gjithë komandantët dhe tërë strukturën e UÇK-së, gjë që përgënjeshtrohet edhe nga agjencia më e fuqishme në botë, CIA amerikane, përmes dokumentit zyrtar.

Dy persona kanë përfunduar dëshminë deri më tash në gjykimin në Hagë, por nga publiku nuk dihet asnjë gjë se çfarë kanë deklaruar ata apo kush janë. Gjithçka po zhvillohet në seanca të mbyllura.

Trupi gjykues ka paralajmëruar se seanca e radhës do të fillojë tek më 10 maj. /Demokracia.com/

Burimi: Foto nga një pjesë e cituar nga raporti

Të ngjashme