Prokuroria Themelore e Pejës do të mbajë konferencë për media në orën 15:30, ku do të jepen detaje rreth arrestimit të disa zyrtarëve komunalë në këtë komunë dhe në Istog e Klinë, pasi dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Prokuroria përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se konferenca do të mbahet në objektin e tyre në Pejë në rrugën “Hasan Cermaxhija”, raporton Demokracia.com.
Prokuroria Themelorë në Pejë ka konfirmuar se është duke u zhvilluar një aksion në këtë komunë, në Klinë dhe në Istog, me qëllim të gjetjes së provave ndaj disa zyrtarëve komunal, që dyshohen për ndërtime të paligjshme.
Prokuroria ka thënë se janë angazhuar pesë prokurorë të shtetit nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, në koordinim me Njësitin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, raporton Demokracia.com.
“Prokuroria Themelore në Pejë, njofton opinioni publik se, pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore dhe urdhëresës së gjyqtarit të procedurës paraprake, janë duke u kryer bastisje në tri komuna (Pejë, Klinë dhe Istog), me qëllim të gjetjes së provave për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” ndaj disa zyrtarëve komunal, lidhur me ndërtimet e paligjshme”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, lidhur me këtë aksion për Demokracia.com ka folur zëdhënësja e komunës së Klinës, Samije Gjergja.
“Është duke u zhvilluar aksioni. Për momentin ata ende janë në Drejtorinë e Urbanizimit. Vetëm në atë drejtori është duke u zhvilluar aksioni. Nuk kemi më shumë informacione lidhur me këtë çështje”, ka thënë Gjergjaj.
Demokracia.com do t’ju mbajë të informuar më zhvillimet rreth këtij rasti.