Lajme
Prokuroria ngre aktakuzë ndaj personit që grisi Kuranin në publik,  kërkohet trajtim psikiatrik
Demokracia
13:36 | 20 Maj 2025

Share:

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit I.P., për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”, në bazë të nenit 141, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Aktakuza është dorëzuar në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ndërsa prokurori i çështjes ka propozuar që ndaj të pandehurit të shqiptohet masa e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik në liri.

Sipas përshkrimit të ngjarjes në aktakuzë, më 3 mars 2025, në afërsi të Teqes “Saraçhane” në Prizren, i pandehuri ka grisë dhe ka shpërndarë në tokë librin e shenjtë të myslimanëve, Kuranin, në prani të qytetarëve. Ky veprim, sipas Prokurorisë, ka nxitur dhe përhapur urrejtje e mosdurim midis grupeve të ndryshme fetare, duke shkaktuar reagime dhe pakënaqësi të thellë në komunitetin islam në vend.

Në bazë të gjetjeve të hetimit, Prokuroria vlerëson se sjellja e të pandehurit ka cenuar rëndë bashkëjetesën ndërmjet qytetarëve me ideologji të ndryshme fetare dhe ka përbërë një rrezik serioz për rendin shoqëror.

Gjithashtu, aktakuza përfshin edhe vlerësimin mjekësor mbi gjendjen mendore të të pandehurit, ku theksohet se në momentin e kryerjes së veprës penale, ai ka pasur aftësi të zvogëluar në mënyrë esenciale për të gjykuar dhe kontrolluar veprimet e veta. Për këtë arsye, Prokuroria ka propozuar që si masë ndëshkuese të aplikohet trajtimi i detyrueshëm psikiatrik në liri.

Gjykata pritet të caktojë seancën e parë për shqyrtimin e kësaj aktakuze në javët në vijim. /Demokracia.com/

Të ngjashme