Intervista
Prokuroria konfirmon se Sali Berisha është nën hetim për dy çështje
Demokracia
09:15 | 13 Shtator 2022

Share:

Kreu i Strukturës së Posaçme (SPAK) në Shqipëri, Arben Kraja iu përgjigj pyetjes për akuzat e shpalljes non grata nga SHBA të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe deklaroi se institucioni që ai drejton, po heton dy çështje, atë të tragjedisë së Gërdecit dhe privatizimit të kompleksit “Partizani”.

Në një intervistë për RTSH, Kraja u shpreh se nuk mund të japë të dhëna të hollësishme në lidhje me hetimet që po kryhen.

“Të mos i marrim të personalizuara. Ka çështje për fakte konkrete për të cilat pretendohet se mund të ketë përfshirje edhe ish- kryeministri apo ish- presidenti. Diskutohet çështja e Gërdecit, që po hetohet, është publike dhe diskutohet çështja e privatizimit të kompleksit “Partizani”, që janë përfshirë familjarë të tij. Çështjet janë në hetim dhe unë nuk mund të them asgjë më shumë”, u shpreh ai.

Pyetur nëse këto çështje kanë lidhje me deklaratën e bërë nga Departamentit të Shtetit për Berishëm, Kraja shtoi se ato janë të qeverisë së SHBA, ndërsa SPAK heton çështjet penale në Shqipëri.

“Ne nuk merremi me deklarata, duhet të më mirëkuptoni. Deklarata janë deklarata politike, janë mbi baza të tjera. Deklaratat janë të qeverisë së SHBA, ndërkohë ne hetojmë çështje penale në Shqipëri dhe nuk kemi dalë në konkluzion as po, as jo në lidhje me ato deklarata”, tha Kraja.

Të ngjashme