Prokuroria Themelore në Pejë ka reaguar pas pretendimeve të ministrit të Bujqësisë, Faton Peci se nuk po vepron ndaj denoncimit të tij në raport me ndërimet në tokë të shtetit në Stankaj të Rugovës.
Zëdhënësi i Prokurorisë së Pejsë, Shkodran Nikçi për Insajderin ka thënë se denoncimi i ministrit Peci është marrë parasysh dhe se procesi është në fazë hetimore.
Ai nuk ka dhënë detaje më shumë për shkak që mund të dëmtojë procesin e hetimeve.
“Po realisht ne e kemi komuniku edhe më herët, i kemi njoftu dhe mediat që pasi që është shfaq ky shqetësim nga ana e ministrit më parë, i kemi autorizu Policinë e Kosovës që mi marrë informatat e duhurat dhe varësisht nga rezultatet e informatave të trajtohet si çështje. Realisht, në këtë fazë nuk mundemi me nda informata me opinionin publik, për shkak se mund ta dëmtojë procesin hetimor.” – ka thënë ai.
Tutje, ai ka thënë se Prokuroria që në fillim është marrë me këtë çështje dhe ka hetuar edhe ndërtimet e tjera dhe jo vetëm ato ndërtime që janë në tokë të shtetit.
“Mirëpo, ajo çka është relevante, Prokuroria që në fillim është marrë me këtë çështje, jo vetëm për pronat në fjalë por edhe për pronat tjera të cilat korrespondojnë se janë në ndesh me ligjin. Varësisht nga rezultatet hetimore, do të dalim me qëndrim për opinionin publik.” – ka thënë ai.
Ndëkohë, ministri Peci të dielën por edhe sot, ka akuzuar Prokurorinë që nuk po veprojnë ndaj denoncimeve të tij që ka bërë në këto institucione.
“7 muaj kanë kaluar prej se kam denoncuar publikisht këto uzurpime dhe asnjë reagim, asnjë veprim i ndërmarrë… Për të tilla denoncime duhet reaguar brenda 24 orëve besoj unë…”
“Të kujt janë këto villa dhe pse po heshtet?” – ka shkruar ndër të tjera Peci.
Ndërsa edhe të hënën Peci ka shkruar për denocimet e tij por kësaj radhe për pronat në Prishtinë.