Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, kanë njoftuar se bazuar në vendimet e gjyqtarit të procedurës paraprake, të datës 22 korrik 2022 dhe 29 shtator 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar, ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Ndryshe, gjykatësi paraprak, më 29 shtator, miratoi kërkesën e Prokurorit të Specializuar për tërheqjen e pretendimeve për krime në komunën e Ferizajt.
Ndërsa, gjykatësi kishte aprovuar pjesërisht mocionin e mbrojtjes së Hashim Thaçit, të parashtruar ndaj aktakuzës së ndryshuar në rastin ku ai me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin, po akuzohen për krime lufte dhe ZPS ishte urdhëruar të bëj ndryshime në aktakuzën e ndryshuar.
Sa i përket kesaj, ZPS u urdhërua ta dorëzojë deri me 30 shtator aktakuzën e ndryshuar më tej.
Një njoftimin e DhSK-së thuhej se më 22 korrik, Gjykatësi i Procedurës Paraprake miratoi pjesërisht kërkesën e mbrojtjes së Thaçit që pretendon mangësi në aktakuzën e fundit kundër të akuzuarve në këtë çështje gjyqësore, e dorëzuar më 29 prill 2022. “Gjykatësi Giju urdhëroi ZPS-në që, deri më 30 shtator 2022, të dorëzojë aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar më tej, me një numër informacionesh shtesë lidhur me akuzat aktuale. Hollësitë lidhur me shtesat mund t’i gjeni në vendimin aktual”, thuhej në njoftim.
Ndryshe, më 29 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.
Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.