As Prokuroria Themelore në Gjilan nuk e ka autorizuar Policinë e Kosovës për të kryer kontrolle dhe bastisje në lokacionet ku u mbyllën struktura paralele serbe.
Në një përgjigje për Gazetën Paparaci, Prokuroria thotë se s’ka marrë kërkesë formale nga policia për një gjë të tillë.
“Referuar pyetjeve tuaja, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Gjilan, nuk ka autorizuar Policinë e Kosovës lidhur me këto kontrolle, të cilat janë realizuar sot më datën 15 janar 2025 në disa lokacione, pasi nuk kemi pranuar asnjë kërkesë formale-zyrtare të arsyetuar me shkrim, ashtu që e njëjta të përcillet në Gjykatën Themelore në Gjilan për lëshimin e urdhërkontrollit, konform dispozitave të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore në Gjilan.
Më herët edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi se s’ka autorizuar Policinë e Kosovës për të kryer kontrolle dhe bastisje në lokacionet ku u mbyllën struktura paralele serbe pasi tha se s’ka marrë kërkesë zyrtare.
Ndërsa, Policia e Kosovës lëshoi njoftim për media ku thuhet se qëllimi i operacionit ka qenë vendosja e rendit, ku me kërkesë të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal që udhëhiqet nga Elbert Krasniqi, kanë asistuar zyrtarët e kësaj ministrie dhe të asaj të Tregtisë për të ndërprerë aktivitetetet e jashtëligjshme.
Policia e Kosovës me njësitë e saja relevante, sot në orët e hershme të mëngjesit, në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës, ka realizuar një operacion të gjerë policor, operacion ky i shtrirë në disa rajone të Kosovës: DRP Prishtinë, DRP Gjilan, DRP Gjakovë dhe DRP Mitrovicë Jugu, për ndërprerjen e aktiviteteve të disa institucioneve të jashtëligjshme që vepronin si komuna, posta, banka etj., të cilat ofronin shërbime të jashtëligjshme, kundër rendit kushtetues dhe ligjeve pozitive të Republikës së Kosovës.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla e ka përdorur edhe një herë tjetër Policinë e Kosovës si ‘karrem’ të mirë për vota, më pak se një muaj para zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
Pa urdhër të Prokurorisë, duke shkelur kodin e procedurës penale, ky urdhër i ministrit të Brendshëm është zbatuar mëngjesin e sotëm nga Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.
Të mërkurën në mëngjes, Sveçla tha se aksioni është ndërmarrë nga MPB-ja, Policia e Kosovës, si dhe dy ministri të tjera. Nuk e përmendi Prokurorinë e Shtetit.
“Me aksion të përbashkët mes MPB e PK si dhe MINT e MAPL, përfundon epoka e komunave dhe institucioneve paralele e kriminale të Serbisë në Republikën e Kosovës”, ka shkruar ai në Facebook. “Siç edhe jemi zotuar, nuk lejojmë asnjë paralelizëm e aq më tepër kriminal të Serbisë që të cenojë Kushtetutën e ligjshmërinë në vendin tonë”.
Burimet i thanë Paparacit se Prokuroria e Shtetit refuzoi dhënien e urdhëresave për bastisje me arsyetimin se policia nuk ka prezantoi prova për dyshim të bazuar në kryerje të veprës penale për këtë hetim.
Krejt kjo, pasi siç kanë bërë të ditura burime të Gazetës Paparaci, cak i bastisjeve ishin edhe disa objekte të cilat “veçse janë mbyllur kohë më parë dhe ishin inekzistente si struktura paralele”. Kjo lë të nënkuptohet se qëllim i këtij aksioni të panevojshëm ishte kryekëput tentativa për të fituar më shumë vota në zgjedhjet e 9 shkurtit, nga partia në pushtet.
Ky akt shënon një përplasje mes Prokurorisë dhe policisë së dirigjuar nga Xhelal Sveçla për ta instrumentalizuar drejtësinë në funksion të garës elektorale.
Paparaci ka dërguar pyetje në adresë të drejtorit të policisë Gazmend Hoxha, Policisë së Kosovës, Prokurorisë Themelore në Prishtinë e asaj në Gjilan, mirëpo nuk ka marrë përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.
Ky rast nuk është hera e parë që Qeveria e Kosovës përdor apo përpiqet të instrumentalizojë Policinë e Kosovës për poena politik.
Ekzekutivi shpesh është lavdëruar dhe ka tentuar t’i marrë meritat për vete, kur janë zhvilluar aksione të suksesshme të Policisë së Kosovës, sidomos në pjesën veriore të vendit.