Lajme
Prokuroria e Bosnjës bashkëpunoi me Europolin, SHBA-në e Francën për arrestimin e Elvis Kelmendit
Demokracia
11:12 | 14 Korrik 2022

Share:

Pjesëtarët e Njësisë Speciale të Policisë së Bosnjë e Hercegovinës e kanë dorëzuar në Prokurori Elvis Kelmendin dhe dy të tjerë: Anel Sejfoviq dhe Aljin Ahmiq, të arrestuar gjatë operacionit të madh policor që u zhvillua të mërkurën në Sarajevë. Tre të arrestuarit tjerë: Slobodan Tomaniq, Hakun Babiq, Amer Pehliq dhe Armin Kulaseviq u liruan.

Ndaj Kelmendit dhe dy të tjerëve është kërkuar masa e paraburgimit. Siç raporton gazeta e njohur boshnjake, Dnevni Avaz, kjo është parë si masë e nevojshme pasi ka aktivitete të bashkëpunimit ndërkombëtar që Prokurorisa e Bosnjës do t’i zhvillojë me strukturat e Europolit, SHBA-së dhe Francës, për ta marrë të gjithë dokumentacionin dhe provat në këtë çështje komplekse të krimit të organizuar, përcjell Gazeta Express.

“Sipas provave të mbledhura, në rastin në të cilin ishte arritur bashkëpunim i rëndësishëm ndërkombëtar, të dyshuarit vepronin si grup i organizuar kriminal, me role dhe detyra të ndara, i cili kontrabandonte dhe shiste sasi të mëdha të lëndëve narkotike në tregun ilegal të drogës në Sarajevë dhe qytete të tjera për një periudhë të gjatë kohore”, thonë nga Prokuroria e Bosnjë e Hercegovinës.

Ushtruesi i detyrës së prokurorit do t’i marrë në pyetje të arrestuarit dhe më pas do të merret vendimi për masat e propozuara.

Po ashtu, në kuadër të angazhimit të autoriteteve, po hetohen edhe lëvizjet e parave të fituara me veprimtari të paligjshme, si dhe format e veprimtarisë korruptive të Kelmendit dhe të tjerëve.

Në Kosovë, Elvis Kelmendi kërkohet nga viti i kaluar. Policia e Kosovës e kishte bërë një përpjekje ‘online’ në tetor të vitit 2021 për t’i rënë në gjurmë atij, duke kërkuar ndihmën e qytetarëve.

Biznesmeni nga Peja, Naser Kelmendi, i futur në listë të zezë nga SHBA-ja në vitin 2012, bashkë me djemtë e tij, vazhdon t’i trazojë organet e drejtësisë në rajon e më gjerë. Ai ka kohë që e ka shndërruar familjen e tij në një grup kriminal, të njohur kryesisht për trafikim të drogës e krim të organizuar.

Të ngjashme