Prokurori në çështjen për krerët e OVL-UÇK-së, Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt, ka thënë se do të kërkojë masa mbrojtëse për dëshmitarët që do të sillen për akuzat ndaj të tyre për pengim të drejtësisë. Ai ka thënë se ka shumë dokumente të cilat janë kërkuar nga mbrojtja, por për të cilat nuk ka dashur të flasë më shumë.
Kështu u tha në konferencën e gjashtë mbi ecurinë e çështjes gjyqësore ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, shkruan Demokracia.com.
“Do bëjmë kërkesa me kohë në lidhje me masa mbrojtëse për dëshmitarët tanë dhe do ta bëjmë kërkesën në kohën e duhur përpara trupit gjykues. Në lidhje me nxjerrjen e dokumenteve ka shumë dokumente të kërkuara nga mbrojtja, që në këtë moment nuk duam të nxjerrim informacione të tjera. Ka një kërkesë të pazgjidhur ende të palës së tretë që nuk është përgjigjur ende, presim ta bëjmë në fund të korrikut. Nuk besojmë se do kërkojmë redaktime, por varemi nga palët e tjera të jashtme”, ka thënë ai në lidhje me materialet e deritanishme të çështjes.
Ndërsa, mbrojtja e Gucatit e Haradinajt thanë se parashohin që të ketë vështirësi me nxjerrjen e materialeve, por sipas saj nuk do të ketë vonesa në transferimin e dosjes para trupit gjykues./Demokracia.com/