Lajme
Prokuroria dhe Policia japin detaje për vrasjen në Kaçanik, të dyshuarit në arrati
Demokracia
16:40 | 10 Maj 2022
Ilustrim

Share:

Një person është vrarë dhe një tjetër është plagosur si pasojë e të shtënave me armë mesditën e sotme në Kaçanik.

Një 30-vjeçar me inicialet H.B., ka mbetur i vdekur si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit, kurse 32-vjeçari me inicialet K.B., është plagosur.

Policia e Kosovës ka njoftuar se ngjarja ka ndodhur mesditën e sotme në rrugën magjistrale Ferizaj-Kaçanik, përkatësisht te vendi i quajtur “Fusha Pajtimit” përballë Varrezave të Dëshmorëve, raporton Demokracia.com.

“Policia Rajonale e Ferizajt sot, datë 10.05.2022 në ora 14:00 ka pranuar një informacion së në rrugën magjistrale Ferizaj – Kaçanik tek vendi i quajtur “Fusha Pajtimit, përball” Varrezave të Dëshmorëve’’ në Kaçanik, nga arma e zjarrit, dy persona  kanë pësuar plagë trupore dhe për pasojë në vendin e ngjarjes ka ndërruar jetë personi me inicialet H.B ( M/K) i moshës 30 vjeçar, vdekja e të cilit është konfirmuar nga mjekët kujdestarë, ndërsa plagë të rënda trupore ka pësuar edhe personi i dytë me inicialet K.B ( M/K) i moshës 32 vjeçar i cili për ndihmë mjekësore është dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj, e më pas për tretman të mëtutjeshëm mjekësor është dërguar në Qendrën Klinike Universitare ( QKUK) në Prishtinë. Në lidhje me këtë, policia rajonale e Ferizajt, përkatësisht Sektori Rajonal i Hetimeve ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nën autorizim të Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Ferizaj ka nisur hetimet për zbardhjen e këtij rasti. Policët hetues po grumbullojnë informacione në terren dhe janë në kërkim të të  dyshuarve, të kësaj ngjarje. Për informacione shtesë , do të njoftoheni me kohë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Po ashtu edhe Prokuroria Themelore ka bërë të ditur se ende nuk dihen motivet e kësaj vrasje, përderisa të dyshuarit ende janë në arrati dhe janë në kërkim.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, ju njofton se gjatë ditës së sotme, rreth orës 14:00, në Kaçanik, një person është privuar nga jeta dhe një person tjetër ka mbetur i lënduar si pasojë e të shtënave me armë. Motivet për këtë ngjarje ende nuk dihen dhe të dyshuarit lidhur me këtë rast gjenden në arrati, për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale ‘’Vrasja e rëndë” të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Me urdhër të prokurorit, trupi i pa jetë i viktimës është dërguar për obduksion, në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërsa, personi tjetër i lënduar është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor. Prokuroria Themelore në Ferizaj, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe janë duke punuar rreth zbardhjes së rrethanave të ngjarjes”, ka bërë të ditur Prokuroria Themelore.

Përderisa ende nuk dihen motivet e kësaj vrasjeje, mësohet se viktima dhe i plagosuri janë vëllezër. /Demokracia.com/

Të ngjashme