Lajme
Prokurori i rastit “Brezovica” që e kishte liruar një herë vrasësin e shtatzënës: Nuk po më kujtohet!
Demokracia
21:42 | 01 Dhjetor 2022

Share:

Prokurori Rasim Maolku, i cili u bë i njohur për hetimin e rastit “Brezovica”, e kishte liruar në procedurë të rregullt Sokol Halilin, burrin e dyshuar për vrasjen e ish-gruas shtatzënë në oborrin e QKUK-së.

Sipas raportimit të Kallxo.com, tanimë e ndjera, Hamide Magashi, kishte raportuar se kishte pasur dhunë nga Sokol Halili. Ajo përpos kësaj, në denoncimin e saj kishte thënë se disa herë me radhë ishte kërcënuar edhe me armë, pretendime këto që ishin mohuar nga Sokol Halili.

E në fund të korrikut të këtij viti, ishte bastisur shtëpia e të dyshuarit Halili, ku ishin gjetur dy armë, një pushkë gjuetie me leje të skaduar dhe një pistoletë me gas. Pasi ishte intervistuar në lidhje me këto armë të konfiskuara, i dyshuari sipas raportimit, me urdhër të prokurorit Rasim Maloku ishte liruar në procedurë të rregullt.

E prokurorit Maloku nuk i kujtohet fare se ai e ka pasur këtë rast, përcjell Demokracia.com.

Maloku derisa ishte duke shikuar i qetë një ndeshje të kampionatit botëror në futboll, është thirru nga RTV Dukagjini për t’u pyetur për rastin.

“Sot tërë ditën kam qenë në intervistim të të pandehurve të rastit Brezovica. Përveç lajmeve që kam dëgjuar për besë nuk e di as në çfarë rrethana ka ndodhur rasti dhe si është zhvilluar kjo procedurë. Derisa nuk e kam lënë me pa nuk e di tjetër çka të ju them. Ne nuk e dimë çka ndodhë dhe çdo rast cilësohet nga rrethanat konkrete. Pothuajse asnjë rast nuk shkon në ndalim për një armë gjuetie dhe armë me gaz. Nuk e di si ka ndodhur pa e parë rastin, edhe deklaratat e palës së dëmtuar dhe të pandehurit nuk mund të them diçka më tepër. Unë do ta shikoj rastin si ka ndodhur dhe nëse është e nevojshme do t’i mbajë të gjitha përgjegjësitë. Na nuk mujna me ndje se çka do të ndodhë, por e vlerësojmë sipas rrethanave. Na zakonisht kemi kritika të vazhdueshme për caktimin e masave të paraburgimit, por tash kur ndodhë rasti pse nuk është caktu. Unë po të them se pa e parë rastin në total se si ka ndodhë dhe a është zbatu, se sigurisht është zbatuar edhe një procedurë tjetër e urdhrit mbrojtës ndaj palës së dëmtuar dhe rrethanave më tutje nuk mund të deklaroj tash pa e pasur rastin konkret. Nëse ka pasur lëshime jam i  gatshëm të jap përgjegjësi para çdo institucioni. Sa rasti ndodhë dhe sa procedura është e mundshme të ketë edhe ndonjë lëshim, nuk po e përjashtoj, por të jeni të bindur se kurrgjë nuk është bërë me ndonjë tendencë apo intervenim. Për rastin e kanosjes apo procedurës tjetër është procedurë që zhvillohet te një departament tjetër. Tash e kuptova dhe desha me shku në zyrë me pa rastin çka ka ndodhë se na nuk jemi kompjuterë. Vetëm në rastin Brezovica i kam 200 a 300 persona. As që e kam ditur që ai ka rast në Ferizaj. Edhe emisionin nuk kesh t’u e këqyr shkaku i ndeshjeve të futbollit”, tha Maloku.

Më vonë, në shtator, për armëmbajtje pa leje, Sokol Halili ishte dënuar nga gjykata me 300 euro.

E mbetet të shihet nëse prokurori Maloku, do të jetë një nga hallkat që do të “reflektojë” edhe pas kërkesës së kryeministrit Kurti për dorëheqje zinxhirore.

I pari i Qeverisë, më herët me një status, të tretin për të njëjtin rast, kërkoi dorëheqjen e personave që sipas tij treguan papërgjegjësi dhe me këtë lejuan të vijë deri tek tragjedia që ndodhi dje.

“Sot pasdite kam aprovuar kërkesat e Grupit Ndërministror kundër dhunës në familje, pas takimit të sotëm të tyre, për rastin e vrasjes së Hamide Magashit dhe foshnjës së saj të palindur. Në bazë të përgjegjësive që mbartin institucionet përkatëse, po bëhet: inspektimi i punës së zyrtarëve policor, përfshirë zbatimin e urdhrit mbrojtës; inspektimi i punës së zyrtarëve në Qendrën për Punë Sociale; inspektimi i punës së zyrtarëve në repartin e gjinekologjisë në QKUK; ndarje urgjente e buxhetit për zbatim të Ligjit për Mbikëqyrjen Elektronike të personave, të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës; dhe, në rastet e caktimit të urdhrit mbrojtës të bëhet bastisje e shtëpisë së personit të dyshuar. I gjithë zinxhiri i papërgjegjësisë duhet të japë dorëheqje”, shkroi kryeministri Kurti. /Demokracia.com/

Të ngjashme