Lajme
Projektligji për sigurime shëndetësore, opozita skeptike se procedohet për shqyrtim
Demokracia
20:23 | 30 Qershor 2024

Share:

Ministria e Shëndetësisë nuk ka dhënë përgjigje nëse e ka finalizuar dhe do ta dërgojë për miratim Projektligjin për Sigurime Shëndetësore. Kjo u paralajmërua javë më parë nga ministri Arben Vitia se do të ndodh më së largu deri në fund të qershorit. Opozita është skeptike se projektligji do të dërgohet në Qeveri për miratim që pastaj t’i shkojë për diskutim Kuvendit.

Kur i kanë mbetur pak muaj deri në fund të mandatit, ende nuk është e qartë nëse Qeveria Kurti do të arrij ra realizoj premtimin që sigurimet shëndetësore të rregullohen me ligj.

Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia për vonesat ishte arsyetuar se shkaku i pandemisë sistemit i kishin dal prioritete të papritura.

Por, javë më parë tha se është çështje ditësh kur ai do të procedohet në Qeveri për miratim, që pastaj t’i hapet rrugë diskutimit e shqyrtimit për të në Kuvend.

Por, sipas anëtarëve të Komisionit për Shëndetësi nga opozita, ka pak gjasa e pritje që kjo të bëhet.

“Një ligj të mirëfilltë, Kosova nuk e ka deri sot. Ligji për sigurime Shëndetësore ka qenë në agjendë legjislative që nga vitit 2021 e këndej. Mendoj se po të ishte i hartuar ai ligj do të ishte implimentu e do të kishim pas sigurime shëndetësore. Ne nuk kemi pas ligj të hartuar në dorë. Ne kemi kërkuar që të vije në komisioni, ministrin e Shëndetësisë për diçka tjetër  por ai ka thënë se para datës 04 korrik nuk ka kohë të takohet me ne, aty presim ta pyesim,” ka thënë deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj.

Informacion se deri ku ka shkuar puna për këtë çështje, nuk kanë as nga mazhoranca.

Vetëm se kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Fatmire Kollçaku, beson në premtimin e ministrit se deri në fund të qershorit ky projektligj do të jetë në duar të deputetëve.

“ Sipas Strategjisë Legjislative në qershor do të përcillej ligji për Sigurime Shëndetësore, jemi ende në kohë. Unë e di që ka qenë në diskutim publike pastaj do të përcillet nga Qeveria në Kuvend. Ne po e presim që ashtu siç është dërgu në fillim të vitit strategjia legjislative, presim që të vije në fund të qershorit,” thotë deputetja e LVV-së, Fatmire Kollçaku.

Televizioni Dukagjini ka pyetur tash e disa ditë Ministrinë e Shëndetësisë nëse puna për Projektligjin për Sigurime Shëndetësore është finalizuar, por ata nuk kanë kthyer përgjigje.

Të ngjashme