Lajme
DOKUMENT| Projektkodi Civil nuk e lejon martesën mes sekseve të njëjta, i trajton si partnerë në bashkësi civile
Demokracia
20:52 | 23 Shkurt 2022

Share:

Udhëheqësit e katër bashkësive fetare në Kosovë kanë nënshkruar të mërkurën një deklaratë të përbashkët, përmes së cilës bëhet thirrje që në Projektkodin Civil, të mos bëhen ndryshime sa i përket martesës dhe familjes.

Projektkodi pritet të dalë të enjten para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Ky Projektkod përfshin një nen i cili i hap rrugën hartimit të një ligji të veçantë për lejimin e “bashkësive civile” ndërmjet personave të gjinisë së njëjtë.

Deklarata u nënshkrua nga Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji, kryetari i Kishës Protestante Ungjillore të Kosovës, Femi Cakolli, dhe kryetari i Bashkësisë Hebraike të Kosovës, Votim Demiri, raporton Demokracia.com.

Në këtë deklaratë, prijësit fetarë thanë se ndryshimet sa i përket familjes dhe martesës, cenojnë “fjalën e Zotit”.

“Të prekësh ripërkufizimin e martesës dhe të pjesëmarrësve në të, pra të burrit i lindur mashkull, dhe të gruas e lindur femër, mendojmë se po cenohet drejtpërdrejt fjala e vullneti i Zotit si dhe mbulesa e tij e shenjtë për të gjithë familjen njerëzore e cila ka nisur prej një burri e një gruaja me bekimin dhe urdhërimin e shumëzimit të përjetshëm”, u tha në deklaratë.

Prijësit fetarë thanë se nuk pajtohen që personat e komunitetit LGBTI të kenë mundësi që adaptojnë fëmijë.

“Me bashkimin apo bashkëjetesën e dy personave me gjini të njëjtë nuk mund të pajtohemi kurrsesi që ta quajmë as martesë e as kurorëzim dhe jemi kundër orientimit që këta individë që lidhin bashkëjetesë të adaptojnë fëmijë”, thuhet në deklaratën e nënshkruar nga krerët fetarë.

Krerët fetarë i bën thirrje deputetëve, Qeverisë dhe institucioneve të tjera që të heqin dorë nga ndryshimet në legjislacionin që përkufizon martesën dhe familjen.

Çka parasheh Projektkodi?

Tema e martesave mes personave të gjinisë së njëjtë gjithnjë shkakton shumë debate pro dhe kundër në shoqërinë kosovare.

Rasti i fundit ku qytetarët u ndanë në dy tabore ishte  kur u raportua për martesën e vëllait të deputetes së Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, me një burrë në shtetin e Kanadasë.

E duket që edhe Qeveria e Kosovës po e diskriminon këtë kategori, duke mos ua mundësuar martesën mes vete, ndonëse një gjë e tillë lejohet me Kushtetutë.

Demokracia.com ka siguruar Projektkodin Civil të Kosovës, i cili nuk e lejon martesën mes personave me sekse të njëjta.

Në kapitullin ku sqarohet “Martesa” dhe kuptimi i saj, përkatësisht në nenin 1138 të Projektkodit Civil, shkruan se “Martesa është bashkësi e regjistruar ligjërisht ndërmjet dy bashkëshortëve të sekseve të ndryshme, me anë të së cilës ata lirshëm vendosin që të jetojnë së bashku si burrë e grua. Martesa është bashkësi jetësore e vazhdueshme e burrit dhe gruas, ligjërisht e rregulluar. Martesa lidhet me dhënien e pëlqimit të burrit dhe gruas dhe nënshkrimin e tyre para zyrtarit të gjendjes civile”.

Në këtë projektkod të ri të Qeverisë Kurti lejohen vetëm bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta, raporton Demokracia.com.

Në pikën 2 të këtij nënkapitulli thuhet se kushtet dhe procedura do të rregullohen me ligj të veçantë.

“Bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta janë të lejuara. Kushtet dhe procedura rregullohen me ligj të veçantë”, thuhet në projektkodin e ri.

Sipas këtij dokumenti, bashkëshortët kanë të drejtë të lidhin martesë dhe të formojnë familje pa ndonjë kufizim në bazë të racës, kombësisë apo religjionit, si dhe janë të barabartë gjatë lidhjes së martesës, vazhdimit të martesës dhe zgjidhjes së saj.

“Të martuarit dhe partnerët në bashkësi civile gëzojnë të drejta dhe detyra reciproke në bazë të këtij Kodi”, thuhet në këtë dokument, sipas të cilit, personat me seks të njëjtë trajtohen si partnerë në bashkësi civile dhe jo si të martuar.

Ky paragraf ka nxitur edhe reagimet e organizatave joqeveritare që merren me të drejtat e komuniteti LGBTI (Lezbiket, Homoseksualët, Biseksualët, Transgjinorët dhe Ndërseksualët).

Drejtori ekzekutiv i Qendrës për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore (CSGD), Arbër Nuhiu, e quan të pakuptueshëm termin “bashkësitë civile” dhe se ky komunitet, thotë ai, nuk do të pranojë një gjë të tillë.

“‘Bashkësitë civile’ nuk përkufizohen në legjislacion, duke përfshirë edhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Kjo nuk ka kurrfarë rrjedhshmërie dhe ne nuk e dimë se a do hartohet një ligji i veçantë për këtë çështje. Ne gjithsesi do të vazhdojmë punën me deputetët e Kuvendit për të zgjidhur këtë problem”, thotë Nuhiu për Radion Evropa e Lirë.

Nuhiu ka qenë i pranishëm në grupin punues të Projektkodit dhe tregon se rekomandimet e organizatave joqeveritare kanë qenë që martesa të definohet midis personave, ashtu siç është në Kushtetutë.

“Të përdoret termi neutral, që nënkupton të përdoret termi bashkëshortë”, thotë Nuhiu.

Projektkodi Civil i ri është miratuar në mbledhjen e Qeverisë Kurti më 30 dhjetor 2021.

Dallimi mes martesës dhe bashkësisë civile

Edhe pse me anë të këtij Projektkodi nuk definohet se çfarë është “bashkësi civile”, aty shkruan se “të martuarit dhe partnerët në bashkësi civile gëzojnë të drejta dhe detyra reciproke në bazë të këtij Kodi”.

Në vende perëndimore, bashkësitë civile nuk konsiderohen si martesa, por si marrëdhënie e ligjshme ndërmjet dy personave, që siguron mbrojtje ligjore për çiftin, vetëm në nivel shtetëror.

Në Bashkimin Evropian, bashkësitë civile lejojnë dy persona që jetojnë së bashku në çift, të regjistrojnë marrëdhënien e tyre me autoritetin publik përkatës në vendbanimin e tyre. Dallimet midis vendeve të BE-së në këtë fushë po ashtu ekzistojnë. /Demokracia.com/

Të ngjashme