Lajme
Projekti ende nuk ka filluar, por Komuna i lëshon kompanisë mbi 600 mijë euro për ndërtimin e nënkalimit në rrugën “Agim Ramadani”
Demokracia
14:10 | 04 Prill 2025

Share:

Komuna e Prishtinës ka lëshuar mjete financiare për kompaninë fituese të projektit “Ndërtimi i nënkalimit për vetura në rrugën Agim Ramadani”, shkruan Demokracia.com.

Komuna e Prishtinës ka nënshkruar kontratën për projektin “Ndërtimi i nënkalimit për vetura në rrugën Agim Ramadani” me kompanitë NNSH “World Medium”, “Limitproject” Sh.P.K. dhe “Rahovica Commerce” Sh.P.K., me një ofertë totale prej 5,825,650.83 euro.

Megjithatë, punimet ende nuk kanë filluar dhe nuk dihet se kur do të nisin për shkak të disa pengesave ligjore.

Demokracia.com ka parë se Komuna tashmë u ka lëshuar kompanive një shumë prej 661,548.31 euro, ose 11.36 për qind të vlerës së kontratës. Kjo shumë figuron në raportin financiar për muajin mars, të publikuar nga Komuna e Prishtinës një ditë më parë.

Ndonëse kontrata është thënë se është nënshkruar, ajo nuk figuron në faqen e E-Prokurimit, në procedurat e tenderëve të kryeqytetit.

Nga ana tjetër, Komuna e Prishtinës ka paralajmëruar se shumë shpejt rruga “Agim Ramadani” do të mbyllet për qarkullim për të nisur punimet për ndërtimin e tunelit.

Procedurat për këtë projekt janë shtyrë përpara, edhe pse Komuna ende nuk ka marrë leje pëlqimi nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve (IKMM) për realizimin e tij.

Në qershorin e kaluar, IKMM pati deklaruar se ky projekt mund të ndikojë negativisht në asetet e trashëgimisë kulturore.

“Kërkesa e pranuar nga Komuna e Prishtinës: ‘Kërkesë për pëlqim rreth projektit të nënkalimit në rrugën Agim Ramadani’ nuk aprovohet, pasi kjo zgjidhje ndikon në ndryshimin e gjendjes urbane të bërthamës së Qendrës Historike të Prishtinës. Ky projekt ka ndikime negative në asetet e trashëgimisë kulturore si dhe kontribuon në zhdukjen e gjurmëve të trashëgimisë arkeologjike dhe arkitektonike të zhvillimit të qytetit të Prishtinës (që nga parahistoria deri më tani)”, pati deklaruar IKMM-ja.

Ky vendim i IKMM-së vazhdon të mbetet në fuqi.

Megjithatë, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, javën e kaluar gjatë një vizite në Prekaz, deklaroi se të gjitha procedurat ligjore janë përmbyllur.

“Tashmë i kemi procesuar të gjitha dhe ato bllokada ligjore kanë kaluar. Nuk ka asnjë arsye të mos vazhdojmë me këtë projekt. Arsyet kanë qenë të kota, se kinse mund të gjejmë diçka parahistorike. Unë mendoj që mirë është të gjejmë diçka parahistorike”, ka thënë Rama.

Sipas projektit, nën rrugën “Agim Ramadani” parashihet të ndërtohet një tunel për vetura. Ndërsa mbi të, Komuna e Prishtinës ka planifikuar ndërtimin e një sheshi të ri, i cili do të lidhë Sheshin “Ibrahim Rugova” me pjesën e vjetër të qytetit.

Në këtë mënyrë, edhe në rrugën “Ibrahim Lutfiu”, që të çon drejt gjimnazit “Sami Frashëri”, do të ndërtohet një tjetër nënkalim.

Me nisjen e punimeve, do të bllokohen dy rrugë kryesore të Prishtinës, pa iu gjetur një zgjidhje alternative për qarkullimin e lagjeve “Tasligje” dhe “Sofali”.

Demokracia.com kishte raportuar më herët se Komuna e Prishtinës ka nisur punimet për dy projekte të mëdha infrastrukturore pa leje ndërtimi, duke shkelur Ligjin për Ndërtim dhe Udhëzimin Administrativ nr. 04/2017 për kategorizimin e ndërtimeve.

Projektet në fjalë përfshijnë:

  • “Ndërtimin e ishullit urban Arbëri – Pallati i Rinisë”
  • “Ndërtimin e nënkalimit për vetura në rrugën Agim Ramadani”

Demokracia.com ka zbuluar se Komuna e Prishtinës nuk ka lëshuar kushte ndërtimore dhe as leje ndërtimi për këto projekte.

Zakonisht, komuna lëshon leje për të gjitha rastet e ndërtimit, rindërtimit dhe rrënimit. Demokracia.com i ka drejtuar pyetje Komunës së Prishtinës lidhur me lëshimin e lejeve për këto dy projekte, por nuk ka marrë përgjigje.

Lejet e ndërtimit publikohen në ueb-faqen zyrtare të komunës, por nuk ka asnjë leje për këto projekte.

Projektet janë hartuar nga kompania “Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit”, e cila është paguar për to.

Megjithatë, këto projekte konsiderohen të kundërligjshme, pasi nuk janë në përputhje me Planin Rregullues të lagjeve përkatëse dhe kushtet ndërtimore, të cilat nuk janë lëshuar.

Në këtë mënyrë, projektet janë realizuar në kundërshtim me ligjin. /Demokracia.com/

Komuna e Prishtinës inicoi ndërtimin e dy projekteve pa leje dhe në kundërshtim me planet rregulluese

Të ngjashme