Lajme
Profili| Kush është Ejup Maqedonci, ministri i ri i Mbrojtjes?
Demokracia
13:03 | 08 Gusht 2023

Share:

Ejup Maqedonci është emëruar sot ministër i Mbrojtjes.

Maqedonci është emëruar ministër i Mbrojtjes, pasi nga kjo pozitë ka dhënë dorëheqje Armend Mehaj.

Kush është Ministri i ri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci?

Ejup Maqedonci ka lindur më 9 maj 1977 në Prishtinë ku edhe është rritur. Në vitin 1996, ai ka migruar në Zvicër ku ka jetuar rreth dy vite, shkruan Telegrafi.

Me të ngjarë sulmi në Prekaz më 5, 6 dhe 7 mars 1998, Ejup Maqedonci ishte kthyer në Shqipëri më 18 mars 1998, ku pas stërvitjeve ushtarake kishte hyrë në Kosovë si ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

I njohur me nofkën e luftës Komandant Uki, Ejup Maqedonci ka qenë komandant i Batalionit të Parë të Brigadës 153 të UÇK-së, në Zonën Operative të Llapit. Pas luftës, në Trupat Mbrojtëse të Kosovës, Ejup Maqedonci ka komanduar për dhjetë vite (1999 – 2009) Batalionin e Kërkim Shpëtimit. Maqedonci ka qenë komandant i dy operacioneve të para jashtë vendit të FSK-së, të kryera në janar dhe në dhjetor të vitit 2010, në ndihmë zonave të përmbytura të Shkodrës, pas të cilave është dekoruar nga Presidenti i Shqipërisë atë kohë, Bamir Topi. Nga viti 2014 deri më 2018, Maqedonci ka qenë Shef i Shtabit të Brigadës së Reagimit të Shpejtë.

Ai ka përfunduar studimet në dy kolegje ushtarake në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mban titujt “Master i Shkencave dhe i Arteve” nga Kolegji i Komandës dhe Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (2012 – 2013) dhe titullin “Master i Studimeve Strategjike” fituar nga Kolegji i Luftës në Pensilvani më 2018 – 2019, ku kishte diplomuar si “Superior Gratuated”.

Pas kthimit në Kosovë nga ShBA-ja në vitin 2019, ai është graduar me gradën kolonel dhe nga ajo kohë e deri në fillim të vitit 2023, Kolonel Ejup Maqedonci ka qenë Shef i Departamentit të Operacioneve dhe Trajnimit në Shtabin e Përgjithshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Nnjëkohësisht nga ky pozicion, ai ka shërbyer si oficer këshilltar për Mbrojtje dhe Siguri i Kryeministrit të Kosovës (2021 – 2023).

Ministri Ejup Maqedonci është Qytetar Nderi i Qytetit të Leavenworthit në Amerikë. Ai ka kryer dhjetëra trajnime ushtarake brenda dhe jashtë vendit si në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Britani të Madhe, në Gjermani, në Japoni etj. Maqedonci ka shërbyer 25 vite në ushtrinë e Kosovës prej të cilës është demobilizuar më 10 korrik 2023, duke qenë në gradën e kolonelit.

Maqedonci është nga Prishtina, ku edhe jeton. Ai është i martuar me Arbërie Veliun nga Prishtina, e cila gjithashtu është veterane e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Maqedonci është baba i tri vajzave.

Të ngjashme