Lajme
Profesori i ekonomisë: Zhvendosja e “Sunny Hill”-it, humbje ekonomike për krejt Kosovën
Demokracia
23:00 | 15 Qershor 2022

Share:

Qeveria e Kosovës refuzoi t’ia miratonte kërkesën Komunës së Prishtinës për t’ia ndarë 17 hektarë tokë festivalit “Sunny Hill”.

Kjo bëri që festivali nga Prishtina të tërhiqej në Tiranë.

Mosmbajtja e këtij festivali në Prishtinë ngjalli reagime të shumta më akuza dhe kundërakuza ndërmjet Komunës së Prishtinës, Qeverisë së Kosovës, Ministrisë së Pushtetit Lokal dhe organizatorëve.

Krejt çka dihet deri më tani është se festivali “Sunny Hill” do të mbahet në Tiranë në datat e njëjta, siç ishin paraparë në Prishtinë.

Por, përveç imazhit dhe promovimit, ky festival kishte impakt të madh edhe në ekonomi.

Profesori i Ekonomisë në Universitetin “Hasan Prishtina”, Ragip Skenderi, mosmbajtjen e këtij festivali  e ka cilësuar si humbje në aspektin e ekonomisë, jo vetëm për kryeqytetin, por për gjithë Kosovën.

“Konsideroj se mosmbajtja e festivalit tashmë e disa vite tradicional në Prishtinë, i shkakton dëme të shumanshme, jo vetëm Prishtinës, por edhe Kosovës në tërësi, si në aspektin kulturor, të turizmit, ekonomik e gjithashtu dëmton imazhin e vendit. Ekonomia ka rrënjët e shumta të burimeve të të hyrave financiare, ku në këtë kontekst edhe të hyrat nga turizmi kulturor janë me leverdi ekonomike”, ka thënë Skenderi në një përgjigje për Demokracia.com.

Ai ka konsideruar se mosmbajtja e këtij festivali do të sjellë humbje të madhe në sektorët e turizmit dhe hotelerisë.

“Festivalet e shumta që mbahen nëpër vendet e ndryshme të botës (filmit, teatrit, letërsisë, muzikës etj.), jo vetëm që sjellin të hyrat e shumta, por edhe rregullojnë imazhin ndërkombëtar të vendit në tërësi (që aq shumë Kosova ka nevojë në këtë kohë). Dhe, nuk e kuptoj assesi pse Qeveria e Kosovës në mënyrën e vet ka ndikuar në mosmbajtjen e këtij festivali (duke e pritur me krahëhapur Tirana, edhe pse nuk jemi kundër, sepse tek e fundit vëllezër jemi). Por, në ketë kohë të krizave ekonomike, ekonomia ka nevojë të hyra shumëdrejtimshe, në mënyrë që të grumbullojë sa më tepër të hyra. Kështu që mosmbajtja e festivalit, konkretisht do t’u sjell humbje sektorit të turizmit dhe hotelerisë në veçanti, por që edhe sektorët e tjerë janë të ndërlidhur mes vete, sepse ekonomia është unazë rrethore që nëse diku këputet, atëherë funksioni i saj zbehet”, ka thënë tutje Skenderi.

Profesori i ekonomisë e ka quajtur vendim skandaloz largimin e festivalit “Sunny Hill” nga Prishtina.

“Dhe, krejt në fund, mendoj se largimi skandaloz i festivalit, tash pamundëson që të rinjtë e të rejat e Kosovës të njohën me artistët me nam botëror të muzikës, duke filluar nga e madhja Dua Lipa, dhe artistë të tjerë, gjë që shmang rininë tonë nga evenimentet globale të kulturës”, ka thënë në fund Skenderi.

Reagime pati nga të gjitha shtresat e shoqërisë, pas vendimit të Qeverisë për të mos ia ndarë pronën “Sunny Hill”-it.

Dikush e quajti edhe krim këtë veprim të Qeverisë, por reagime erdhën edhe nga eurodeputetja Viola von Cramon. Përkundër këtyre, Vetëvendosje vazhdon ta mbrojë qëndrimin e saj se prona nuk duhet të ndahet për 99 vite. /Demokracia.com/

Të ngjashme