OpEd
“Profecia” elektorale e papërmbushur e Kurtit dhe “bakshishet” me kuletë të shtetit
Demokracia
19:06 | 23 Dhjetor 2024

Share:

Ridvan Berisha

Kur kryeministri Kurti erdhi në pushtet më shumë se katër vite më parë, qysh në mandantin e parë, pak kush, së paku mbi 50 për qind të atyre që e votuan, sot në fundvitin 2024 ndërsa vendi është përfshirë në atmosferë elektorale, mbase kanë arsye të jenë kritikët më të mëdhenjë sidomos për sektorët real të zhvillimit ekonomik.

Zërat racional të cilët e prisnin një epokë tjetër qeverisjeje me Kurtin kryeministër sot mund të jenë të habitur për gjënë më të shëmtuar që nuk e imagjinonin dot, prezencën e korrupsionit në përmasa agravuese teksa në ballë të ‘oxhakut të avokatisë’ qëndron shefi, kryeministri Albin Kurti.

Thuajse nuk e çelë një ditë mëngjesi kur Kurti ad hominem po i sulmon prokurorët që po i ndjekin penalisht ministrat e tij nën dyshimet për korrupsion dhe abuzim me paranë publike. Pyetja logjike, e thjeshtë që të shkon në mendje është se vet Kurti ndoshta mund të jetë në siklet, zor e hall.

Në observimin tim profesional dy mund të jenë këto arsye: Shpjegimi i parë na thotë se Kurtit i është zënë siç thotë populli “bishti me derë” ndërsa version tjetër i interpretimit më çon ka dyshimi se Kurti kokëfortë refuzon statusin e një qeverisjeje të korruptuar, model ky për të cilin vet ai me “shokë” kishte filluar kryengritjen në opozitë duke i akzuar fortë rëndë pararendësit. Mbolli shpresën për një Kosovë tjetër. Erdhi në pushtet dhe, cila është ajo Kosovë tjetër sot në mandantin e tij katër vjeçar?! Natyrisht se nuk është e njëjta, por për të keq! Ka më pak banorë, qeverisje pa llogaridhënie, me dëshpërim për trendin e dobët të zhvillimit ekonomik, të krijimit të një mjedisi shprese për punësim, për sundim pa ligj, për avokati ndaj të dyshuarve për korrupsion, për arrogancë me aleatë, për dëme që lidhen me mënyrën se si (s)negocioi me Serbinë në Bruksel dhe për vendnumërim të shtetit e regres në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Të vijojmë me thelbin e problemit të sotëm. Kurti u dëshmua se është njëri nga politikanët e rëndomtë kosovar. Kjo natyrisht se nuk ishte ambicia e tij. Pritjet jo racionale e gati profetike që i krijoi vet Kurti po i kthehen në terrën seriozisht të cenuar se si do të jetë tutje karriera politike e tij kur vendi po gjëmon nga valë një problemesh socio-ekonomike dhe dimensioni tjetër tepër problematik që ka të bëjë me shtet mbarimin e Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare për sa kohë që i gjithë ky proces duket të jetë i lidhur ngusht me dialogun e vështirë me Serbinë fqinje. Bazuar në deklaratat që i jep z. Kurti për temat e brendshme dhe jo vetëm, shihet qartë se ai pas katër vitesh kryeministër e mban mbi supe një shqetësim personal. Pse nuk dalloi nga të tjerët, pse nuk hyri në histori për ndonjëgjë, pse memoria e kosovarëve atë e sheh si politikan të zakonshëm, si dhe pse nuk arriti që të përmbushë “profecinë” për një Kosovë pa hajna, për një Kosovë ku lulëzon shpresa për zhvillim ekonomik e të tjera e të tjera. Prandaj, Kurtin e gërryen përbrenda ky lloj i “profecisë”, ai refuzon të duket si politikan i rëndomtë. Por, ja që e vërteta e dematon atë nga mëngjesi në darkë.
Katër vite pas, kryeministri dhe shumë prej ministrave nuk po arrijnë dot të gjejnë shtegdaljen për t’i bërë bashkë e bashkë copëzat e punëve të mira. Çfarë t’i thuhet votuesit tani nga kampi i z. Kurti? Që ai dhe qeveria e tij u pengua nga opozita për të punuar, që prokurorët e penguan, që Gjykata Kushtetuese i doli në rrugë! Jo. Asnjëra e as tjetra arsye nuk qëndron. Zakonshëm në këtë habitatin tonë kur diskutohet e debatohet me vokacion racional, zor se arrin të identifikosh këtë qeveri për ndonjë projekt madhor, i cilësdo fushe qoftë ai.

Prandaj, Kurti po e zgjedh rrugën më të lehtë për të qenë politikan i “falenderuar” për shkak të mjerimit social. “Bakshishet” me kuletë të shtetit, vendim i lehtë sepse nuk i marrin nga portfolio e tyre e në të njëjtën kohë shërbejnë si një lloj anestetiku, një lloj dehjeje që mëton lumturi pavarësisht se mund të jetë e përkohshme. Njëjtë pra, siç bënë të tjerët politikanë duke u treguar gjenerozë me para të tatimpaguesve. Kjo është e vërteta z. Kurti. Tani nëse ju mendoni se koncepti qeverisës dhe mbetja në pushtet duhet kryekëput të reduktohet me “bakshishe”, druaj se ky nuk është vizioni premtues zhvillimor për Kosovën e nesërme, nuk ishte as për Kosovën e djeshme. Në ekonomi të tregut të lirë barazia nënkupton, ligjërohet me një gjë sublime, të barabartë vetëm para ligjit.

Veprime si këto ad hoc për funksion vote na shpien drejt një botëkuptimi abuzues me demokracinë, vendimarrje si këto fatkeqësisht inkurajojnë, nxitin dëshirën dhe lakminë me kërkesën: Çohuni gra e burra t’i ndajmë paratë njëjtë. Kjo logjikë është vrastare për ekonominë e tregut të lirë, absulutisht. Refuzoj të pajtohen me mendësinë se buxheti i shtetit, aq sa janë, duhet t’u transferohet qytetarëve në mënyrë të barabartë në kontot bankare. Në shtetin tonë, filozofia konceptuale kushtetuese është se jemi vend me ekonomi të tregut të lirë, ku ai që punon sipas ligjit nuk mund të bëjë jetën e dikujt që nga mëngjësi në darkë vajton për çdo gjë.

Për sa kohë që kjo shoqëri jeton me koncenzusin se Repubika e Kosovës është një vend demokratik, me ekonomi të tregut të lirë, ku qeveritë ndërrohen, vijnë e shkojnë natyrisht përmes një procesi të lirë e demokratik zgjedhor, vendimarrjet si këto ad hoc me kuletë të shtetit nuk do të duhej të shndërrohen në recetë qeverisëse, në biletë për ardhje në pushtet, është padyshim model abuzues.

Për situatën e djeshme e të sotme në veri të shtetit e ruaj vlerësimin se zbatimi i ligjit është i panegociueshëm. Për këtë temë kam shumçka të flas në një vështrim tjetër të radhës./tvarbëria/

Të ngjashme