Lajme
Prodhimi i kriptovalutave, Stavileci i Doganës paralajmëron aksione të tjera
Demokracia
22:49 | 08 Janar 2022

Share:

Në orën 05:00 të mëngjesit të së shtunës, Dogana e Kosovës, bashkë me policinë, zbatuan një aksion në komunën e Leposaviqit. Dogana kishte arritur lokalizimin e objektit ku ishin vendosur 272 softuerë për krijimin e kripto-valutave.

Aksioni është ndërmarrë pasi dogana kishte informacione se këto aparate ishin të kontrabanduara dhe në kundërshtim me vendimin e fundit të qeverisë për asgjësimin e pajisjeve të tilla, që shpenzojnë sasi enorme të energjisë elektrike.

“I kishim siguruar informatat se në atë lokacion ka pajisje që janë futur ilegalisht, ne si doganë i konsiderojmë ato pajisje të kontrabanduara, pastaj kemi kërkuar asistencë nga policia që të shkojmë bashkë në bastisje, apo në kontrollë të atij lokacioni dhe e kemi vërejtur se ato janë pajisje në kundërshtim me ligjin e marrë nga Qeveria e Kosovës“, ka thënë Stavileci për RTK-në.

Policia arrestoi një person, ndërkaq ndërhyrje të tilla në luftimin e kontrabandës dhe aparateve të tilla të kripto-valutave, paralajmërohen edhe në ditët në vijim.

“Ne i kemi konfiskuar të gjitha ato pajisje të cilat kanë qenë 272 dhe i kemi dërguar në bodrumet e doganës dhe personat përgjegjës janë arrestuar dhe kanë filluar procedurat e mëtejshme ndaj tyre, aksione të tilla do të vazhdojnë në gjithë Kosovën, ku vërehet që ka pajisje të importuara të kontrabanduara”, ka shtuar ai.

Ndërkohë, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, deklaroi se pajisjet janë konfiskuar në afërsi të fshatit Trebice të Komunës së Leposaviqit dhe se aksioni u zhvillua dhe përfundoi pa incidente. Pajisjet për prodhimin e kripto-valutave ishin vendosur në një stallë bagëtish, kurse vlera e tyre ende nuk dihet, pasi vlerësimi i tyre pritet të bëhet në ditët në vazhdim.

Të ngjashme