OpEd
Problemi është pse i thotë martesë një kontrate politike?
Demokracia
23:33 | 21 Qershor 2024

Share:

Shkruan: Mero Baze

Degradimi publik që Ilir Meta po i bën një çështje tërësisht private siç është divorci, tregon shumë në të vërtetë se si ka qenë martesa. Divorci është një vendim tërësisht privat dhe fuqia e një çifti në divorc është ta mbajnë atë si çështje private, edhe kur dikush do ta bëjë çështje publike.

Ilir Meta po bën të kundërtën. Ai po e përdor divorcin, për halle personale, politike dhe juridike.

Arsyetimi i tij publik se është ndarë nga gruaja, pasi ajo ka folur në SPAK, edhe pse shkakton të qeshura, në të vërtetw është shumë mizor, pasi do t’u tregojë të gjithëve, që gruan nuk e ka pasur grua, as nënë të fëmijëve, por besnike politike për të mos dëshmuar për problemet e tij me ligjin. Dhe fakti që ajo ka bashkëpunuar me drejtësinë përbën për të një arsye për t’u ndarë.

Në fakt, nëse ata kanë pasur marrëveshje të tillë mafioze, ai mund të thoshte lirshëm që Monika dhe duhet vrarë, pasi ai është ndëshkimi i mafies për ata që flasin.

Por fakt që Ilir Metës i duhet ky divorc, vetëm për ta përdorur politikisht kundër drejtësisë, tregon se nuk ka qenë martesë.

Siç ka përdorur politikisht lidhjen me Monikën, kur ishin në FRESSH, apo bashkëpunimin me të në politikë në gjithë krizat e tij, tani në krizën më të madhe të jetës së tij, që është një përzierje e krizave psikike, juridike dhe politike, po përdor divorcin me të po për hallet e veta.

Pra e gjithë martesa e tij ka qenë një përdorim politik, dhe e parë kështu nuk është ndonjë dramë që ai po për arsye politike e ndan.

Puna është pse e quan martesë.

Se ky nuk po ndahet si një burrë me gruan e tij, por ky po ndahet fjala vjen siç është ndarë me Edi Ramën apo Sali Berishën rregullisht, apo siç ndahet Shpëtim Idrizi me Ramën apo Berishën në varësi të fjalimeve për çështjen çame.

I vetmi ndryshim është se ky është rikthyer disa herë tek ata që është ndarë politikisht. Ndaj nëse Monika nuk ikën nga politika, ka shans të kthehet. Se në fund të fundit, politikë është, jo martesë.

Të ngjashme
OpEd • 27 Qershor 2024
OpEd • 25 Qershor 2024
OpEd • 24 Qershor 2024