Komuna e Prishtinës ka hapur thirrjen për shprehje interesi nga kompanitë private që dëshirojnë të bëhen pjesë e projektit për modernizimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e pritoreve të autobusëve në kryeqytet. Përmes kësaj iniciative, autoritetet komunale synojnë të përmirësojnë infrastrukturën publike të transportit urban dhe njëkohësisht të krijojnë hapësira funksionale për reklama digjitale, shkruan Demokracia.com.
Sipas njoftimit zyrtar, kompania që do të përzgjidhet në këtë proces do të ketë të drejtën që për pesë vjet të menaxhojë hapësirat reklamuese në pritoret e autobusëve, në këmbim të investimeve që do të bëjë për përmirësimin dhe mirëmbajtjen e tyre. Kjo thirrje konsiderohet si hap i parë drejt një modeli të bashkëpunimit publik-privat në shërbimet urbane të qytetit.
Kriteret për kualifikim janë të detajuara dhe kërkojnë nga kompanitë aplikante që të dëshmojnë kapacitet të fortë financiar, përvojë konkrete në marketingun e jashtëm dhe zgjidhje teknologjike të gatshme për prezantim.
Konkretisht, kompanitë duhet të përmbushin këto kushte:
-
Kapacitet financiar: Të kenë pasqyra të audituara për vitet 2022–2024 dhe qarkullim të përgjithshëm mbi 3 milionë euro.
-
Përvojë në marketing të jashtëm: Të dëshmojnë projekte të realizuara me vlerë të paktën 1 milion euro gjatë tri viteve të fundit, të mbështetura me referenca dhe transaksione bankare.
-
Aplikacion për menaxhimin e hapësirave reklamuese: Të kenë një platformë funksionale me module për menaxhimin e reklamave digjitale dhe rezervimeve, bashkë me dëshmi të pronësisë intelektuale.
-
Aplikacion për menaxhimin e orareve të autobusëve: Të jenë të certifikuar në Google Play dhe Apple Store dhe të ofrojnë module që përfshijnë GPS për përcjellje në kohë reale dhe menaxhim nga distanca.
-
Infrastrukturë teknike: Të kenë marrëveshje me operatorë të licencuar për internet të qëndrueshëm (min. 50 Mbps) dhe të ofrojnë pajisje të certifikuara për reklama dhe informim me rezistencë ndaj kushteve atmosferike.
Procesi i aplikimit është i hapur prej 14 deri më 23 maj 2025.
Pas shqyrtimit të dokumentacionit, Komuna do të zhvillojë takime direkte me operatorët e kualifikuar për të diskutuar mbi propozimet dhe kushtet e bashkëpunimit. /Demokracia.com/