Sport
Prishtina përfundimisht e rikthen Mendurim Hotin, futbollistin që e largoi për përfshirje në rrahje
Demokracia
09:31 | 04 Gusht 2022

Share:

Pas pak më shumë se një muaj, Prishtina e ka rikthyer në skuadër sulmuesin Mendurim Hoti, futbollistin që e larguan për përfshirje në rrahje në një ndeshje të futbollit të vogël.

FC Prishtina mbrëmë publikoi një fotografi të përbashkët të futbollistëve të cilët u vizituan nga presidenti i ri i klubit, Hakif Gashi, raporton Demokracia.com.

Në pamjet e publikuara Hoti shihet përkrah me bashkëlojtarët e tij në seancën stërvitore të mbajtur një ditë më parë (e mërkurë).

Prishtina në fund të muajit qershor e kishte larguar nga ekipi për shkak të përfshirjes në një rrahje gjatë një ndeshje të futbollit të vogël.

“Klubi i Futbollit Prishtina ka marrë masa ndaj tij dhe mund të konsiderojmë se ai nuk është më lojtar i Prishtinës. Ky s’është rasti i vetëm i tij. Ai më herët e ka pasur edhe një rast”, kishte thënë drejtori i Prishtinës, Artan Osmani për KlanKosova.

Sidoqoftë, duket se Hoti dhe Prishtina kanë gjetur një zgjidhje dhe se ai në edicionin e ri do të jetë nën urdhrat e kryetrajnerit, Ismet Munishi.

Hoti gjatë karrierës së tij kishte mbrojtur ngjyrat edhe të disa skuadrave tjera të Superligës së Kosovës./Demokracia.com/

Të ngjashme