Lajme
Prishtina nën ndërtim: Kush e betonoi më shumë kryeqytetin, Ahmeti apo Rama?
Demokracia
11:06 | 12 Maj 2025

Share:

Kryeqyteti i Kosovës po zëvendëson çdo hapësirë të lirë me beton. Ndërtimet shumëkatëshe, që dikur ishin përjashtim, sot janë bërë normë. Nga viti në vit, Komuna e Prishtinës ka vazhduar të lëshojë leje ndërtimi në sasi marramendëse, duke ngulfatur çdo ide për planifikim urban apo zhvillim të qëndrueshëm, shkruan Demorkacia.com.

Që nga koha e Shpend Ahmetit, i cili për një mandat të plotë dhe një pjesë të mandatit të dytë qeverisi me Lëvizjen Vetëvendosje, e deri te Përparim Rama i LDK-së, ndërtimi me beton është shndërruar në politikë zyrtare për zhvillimin e qytetit.

Gjatë dy mandateve të Shpend Ahmetit (2013-2021), janë dhënë leje ndërtimi për mbi 7 milionë metra katrorë ndërtim. Vetëm në vitin e fundit të tij në pushtet, 2021, janë lëshuar 1.44 milionë m², çka e bën këtë vitin më “të betonuar” në dekadën e fundit.

Viti pandemik 2020 pati një rënie të pritshme me 815 mijë m², por ritmi u rikthye fuqishëm në vitin pasues. Gjatë periudhës 2018–2019, lejet ndërtimore lëvizën nga 870 mijë m² në 1.06 milionë m², duke dëshmuar një trend të pandalshëm të rritjes urbane, pa dukje të ndonjë kufizimi urbanistik.

Por edhe Përparim Rama, që erdhi në pushtet më 2022 me premtime për “Prishtinë moderne dhe të gjelbër”, po ecën me hapa po aq të shpejtë në drejtim të betonizimit. Në vetëm tre vite, administrata e tij ka lëshuar leje për mbi 2.8 milionë m² ndërtim:

  • 2022: 1,008,703.85 m²
  • 2023: 847,995.30 m²
  • 2024: 948,659.14 m²
  • Për katër muajit e parë të këtij viti janë lëshuar leje ndërtimi për 182,193.39 m2.

Rama nuk e ka kaluar ende Ahmetin në përmasa vjetore, por është shumë pranë. Nëse vazhdon me këtë ritëm, deri në fund të mandatit të tij të parë, mund të tejkalojë totalin e mandatit të dytë të Ahmetit.

Kjo është paraqitja vizuele e nxjerr nga Demokracia.com e sipërfaqeve të ndërtimit në Prishtinë nga viti 2013 deri më 2024. Vërehet rritje e dukshme në vitin 2021 dhe një vazhdim i trendit të lartë edhe gjatë qeverisjes së Përparim Ramës.

Lejet e ndërtimit në Prishtinë në m2 (2013–2024)

Viti m² ndërtimi
2013 313,892
2014 473,362
2015 741,242
2016 826,875
2017 814,964
2018 875,685
2019 1,063,307
2020 815,063
2021 1,442,482
2022 1,008,703.85
2023 847,995.30
2024 (jan–prill) 182,193.39

Në total: mbi 9.4 milionë m² leje ndërtimi të lëshuara për këtë periudhë.

Përtej shifrave, ajo që bie në sy është mungesa e balancës midis zhvillimit dhe cilësisë së jetesës. Sheshet e betonit po zëvendësojnë lagjet me hapësira të gjelbra. Lejet po përqendrohen kryesisht në zonat urbane, aty ku çdo parcelë po shndërrohet në një kullë të re.

Krahasimi midis dy kryetarëve tregon më shumë ngjashmëri se ndryshim, pasi të dy kanë ndjekur politika të ngjashme në raport me ndërtimet, duke i hapur rrugën investimeve të mëdha në ndërtim, shpeshherë pa transparencë të mjaftueshme, pa konsultim publik e as analizë të ndikimit në infrastrukturë.

Ndërtuesit dhe zhvilluesit urbanë duket se janë përfituesit e vërtetë të këtij modeli të “zhvillimit”, ndërsa qytetarët janë ata që përballen me pasojat si mungesë të parkingjeve, shkollave, kopshteve, trafik të rënduar dhe ajër gjithnjë e më të ndotur.

Në fund, qyteti mund të duket më “modern” nga jashtë, por nga brenda po bëhet gjithnjë e më i pabanueshëm.

Sipas të dhënave më të fundit nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), të publikuara në kuadër të Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave 2024, komuna e Prishtinës ka gjithsej 61,336 njësi banimi.

Ndër këto, 25,195 banesa janë të pabanuara, që përbën mbi 41% të totalit të banesave në kryeqytet . Kjo përqindje është dukshëm më e lartë se mesatarja kombëtare, ku rreth 33% e banesave në të gjithë Kosovën janë të pabanuara .

Ky fenomen tregon për një prani të theksuar të banesave të pashfrytëzuara në Prishtinë, duke ngritur shqetësime për efektivitetin e planifikimit urban dhe ndikimin e mundshëm në tregun e pasurive të paluajtshme. /Demokracia.com/

Të ngjashme
Lajme • 12 Maj 2025