Sport
Prishtina i reagon ashpër Afrim Muçiqit: Ylli i mikrofonit ka të drejtë të flas për klubin, por vetëm si tifoz i ekipit
Demokracia
12:47 | 24 Tetor 2022

Share:

Klubi i Prishtinës i ka reaguar ashpër këngëtarit dhe ish-aksionarit të klubit, Afrim Muçiqit për deklaratat e fundit.

Në një emision televiziv, Muçiqi ka deklaruar se ende është aksionar i klubit prishtinas.

Madje, ai ka komentuar edhe punën e trajnerit Ismet Munishit, për të cilin ka thënë se “nuk është i duhuri” për klubin bardhekaltër.

Në rrjetin social “Facebook”, Prishtina ka bërë me dije se Muçiqi nuk është më aksionar, pasi aksionet e tij i ka shitur tek aksionari tjetër, Rrahman Haradini.

Njoftimi i plotë i Prishtinës:

“Sqarim i opinionit rreth deklaratave publike të ish-aksionarit Afrim Muçiqi!

FC Prishtina njofton opinionin publik se Afrim Muçiqi nuk është më pjesë e klubit tonë, ku më herët ka qenë aksionar dhe drejtor.

Muçiqi së fundmi në një paraqitje televizive në T7 me datë 23.10.2022, ka deklaruar publikisht se ende është aksionar teksa e ka komentuar edhe trajnerin Ismet Munishi duke thënë se nuk është i duhuri për ekipin tonë!

FC Prishtina është jashtëzakonisht e kënaqur me punën e Munishit, i cili erdhi te skuadra jonë në një moment aspak të mirë kur klubi përballej me borxhe të shumta financiare të trashëguara që nga koha e Muçiqit.

Ylli i mikrofonit ka të drejtë të flas për klubin, por vetëm si tifoz i ekipit nëse ndjehet i tillë, e jo si pjesë e jona.

Kujtojmë se Muçiqi i ka shitur aksionet e tij te aksionari tjetër në klub, Rrahman Haradini, me ç’rast së shpejti do të përkthehen edhe në ARBK.

Muçiqi nuk ka qenë pjesmarrës as në Kuvendin e fundit Zgjedhor, ku është zgjedhur kryetari i ri, Hakif Gashi, si dhe anëtarët e tjerë të bordit: Rrahman Haradini, Remzi Ejupi, Sinan Vllasaliu dhe Ismet Begolli“./Demokracia.com/

Të ngjashme