Sport
Prishtina e “rrëzon” Ballkanin në Suharekë, kalon në gjysmëfinale të Kupës
Demokracia
15:46 | 16 Mars 2022

Share:

Prishtina është kualifikuar në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës në futboll, duke e eliminuar Ballkanin në çerekfinale edhe atë në Suharekë.

“Bardhekaltrit” nga kryeqyteti fituan 1:2 në stadiumin e qytetit në Suharekë, vetëm pas 120 minutave lojë, ngase 90 minutat e rregullta u mbyllën baras 1:1, raporton Demokracia.com.

Shifrat u zhbllokuan në minutën e 24-të kur talenti prishtinas, Qendrim Zyba kaloi Prishtinën në avantazh.

Ballkani riktheu baraspeshën në minutën e 65-të me autor, Blend Baftiun. Me golin e këtij të fundit skuadrat shkuan në vazhdime pasi në minutat në vazhdim gola nuk pati.

Në start të pjesës së parë të vazhdimeve, Besnik Krasniqi ia riktheu epërsinë Prishtinës me gol në minutën e 96-të, gol ky që i siguroi Prishtinës kalimin në gjysmëfinale të Kupës.

Tutje kanë siguruar plasmanin edhe Llapi e Drita që eliminuan Gjilanin, respektivisht Ulpianën.

Kujtojmë se ndeshja e fundit e fazës çerekfinale luhet nesër mes Ramiz Sadikut dhe KEK-ut.

Ndryshe, në gjysmëfinale luhen dy ndeshje vajtje-ardhje. /Demokracia.com/

Të ngjashme