Lajme
Prindon Sadriu mashtroi, policat e sigurimit shëndetësor nuk rimburësojnë shpenzime në Kosovë
Demokracia
12:31 | 07 Dhjetor 2021

Share:

Prindon Sadriu, të cilit Ministria e Jashtme ia ka rimburësuar edhe shpenzimet prej 396 eurosh për trajtimin e infektimit me Covid-19, dje në reagimin e tij iu referua Udhëzimit Administrativ 04/2015 të MPJ-së për Sigurimet Shëndetësore në Misionet Diplomatike dhe Konsullore, kinse rimburësimi është bërë duke u bazuar në të.

Sipas Sadriut, ekziston përkufizim i qartë në Udhëzimin Administrativ 04/2015 të MPJD-së për Sigurimet Shëndetësore në Misionet Diplomatike dhe Konsullore të Republikës së Kosovës, i cili rregullon çështjen e mbulimit të shpenzimeve shëndetësore për gjithë diplomatët dhe anëtarët e shërbimit të jashtëm.

Realisht, përkufizim i qartë ekziston, por për të kundërtën e asaj që pretendon Sadriu, raporton Demokracia.com.

Sipas këtij udhëzimi, Ministria e Jashtme paguan policat e sigurimit shëndetësor për përfaqësuesit diplomatikë/konsullorë, të akredituar në misionet diplomatike dhe konsullore vetëm në vendet pranuese, jo jashtë tyre, sikurse në rastin e Zotëriut të Parë, faturat e të cilit ishin bërë në Kosovë dhe nuk rimburësohen nga kompanitë e sigurimit.

Sikur të mbuloheshin këto shpenzime nga Polica e Sigurimit Shëndetësor, të cilës i referohet Zotëriu i Parë, atij shpenzimet do ia rimburësonte kompania ku është i siguruar dhe jo MPJ, sepse buxheti i shtetit nuk mund t’i bëhet policë e sigurimit shëndetësor të tij ngado që ai lëvizë.

Madje, sipas burimeve brenda MPJ-së, ato fatura që nuk dihej as kush i ka bërë, pasi që nuk figuronte askund emri i Sadriut në to, as kompanitë e sigurimit në vendet pritëse nuk i rimburësojnë.

Pika 3 e nenit 3 të këtij Udhëzimi Administrativ, ndër të tjera thekson se në rast se ndonjë zyrtar jep dorëheqje nga Shërbimi i Jashtëm apo caktohet në ndonjë detyrë tjetër brenda Ministrisë në Kosovë, ai/ajo nuk gëzon shërbimet e sigurimit shëndetësor, të mbuluara nga Ministria sipas këtij Udhëzimi Administrativ.

Pra, MPJD nuk ka sigurim shëndetësor për personelin e saj diplomatik në Kosovë, ndërsa Sadriut ia ka rimburësuar edhe shpenzimet e trajtimit të Covid-19 të bëra në Prishtinë.

Përkundër që Zotëriu i Parë si diplomat i akredituar në Maqedoninë e Veriut posedon pako individuale të sigurimit shëndetësor, ai posedon vetëm për vendin ku është i akredituar, sepse polica e sigurimit nuk ia mbulon shpenzimet e trajtimit jashtë vendit ku ai është i akredituar.

Edhe në nenin 5 të këtij Udhëzimi Administrativ qartësohet se pagesa e sigurimit shëndetësor bëhet nga buxheti vjetor i alokuar për sigurimet shëndetësore në Misionet Diplomatike dhe Konsullore.

Ndërsa, në nenin 6 qartësohen edhe procedurat sesi mund të kontraktohen kompanitë që ofrojnë shërbime të sigurimeve shëndetësore dhe çfarë duhet të bëj shefi i misionit nëse kontrata nuk gjen zbatim në shtetin pranues.

Kosova deri më tash ka mbi 161 mijë qytetarë që kanë qenë të prekur nga virusi Covid-19. Kostoja mesatare e shpenzimeve për trajtimin e infeksionit me Covid-19 sillet në rreth 1 mijë euro për person dhe qytetarët e Kosovës vazhdimisht janë ankuar për pamundësitë financiare që t’i mbulojnë shpenzimet mjekësore të infektimit me Covid-19.

KËTU mund ta gjeni të plotë Udhëzimin Administrativ 04/2015 të MPJ-së për Sigurimet Shëndetësore në Misionet Diplomatike dhe Konsullore:

Të ngjashme
Lajme • 25 Prill 2024